Festivali mjedisor “Green Fest” këtë vit shënon edicionin e 15-të, duke u fokusuar në temën kryesore “Toksiciteti” brenda konceptit më të gjerë “Jeta në Tokë”. Kjo u bë e ditur nga Diellza Jëlliqi, zyrtare për komunikim në festival, gjatë një interviste në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Që nga themelimi, “Green Fest” ka pasur për qëllim ndërgjegjësimin e publikut dhe pjesëmarrësve për çështjet mjedisore, duke përzgjedhur çdo vit një temë që lidhet me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
“Festivali nuk është vetëm edukues, por ofron një program të larmishëm për të gjitha grupmoshat,” tha Jëlliqi, duke përmendur se aktivitetet përfshijnë punëtori, ekspozita, koncerte muzikore, si dhe aktivitete rekreative si kajak, ecje malore, joga dhe pilates.
“Qëllimi ynë është të nxisim një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për qytetarët,” shtoi ajo.
“Green Fest” është një nga ngjarjet më të rëndësishme mjedisore në Kosovë, duke ofruar një platformë të gjërë për diskutime dhe veprime në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të qëndrueshmërisë./RTK/Katror.info