Një prej festivaleve që tash e një kohë është referencë kulturore për Mitrovicën, “Green Fest” ka ditët e fundit para nisjes së edicionit të sivjetëm.
Nga 29 qershori deri më 2 korrik, qyteti i minatorëve do të jehojë me një program të përkryer, i cili këtë vit është më i miri i të gjitha kohërave të këtij festivali.
Me moton “Imagine” ata kthejnë në kujtesë pasuritë kulturore, industriale e sociale të këtij qyteti, duke shpresuar në kthimin e po kësaj fryme dhe qetësisë së dikurshme.
“Imagjinoni një Mitrovicë paqësore. Imagjinoni që të katër lumenjtë që përshkojnë qytetin e Mitrovicës, me ujë të pastër. Imagjinoni malet e Shalës së Bajgorës me drunj të lartë, e të dendur. Imagjinoni rrugët urbane me më pak makina, me më shumë bicikleta e hapësira të gjelbra e publike. Imagjinoni parkun industrial të Trepçës, të kthyer në një oazë të gjelbër e të jetueshme, të hapur për qytetarët e turistët, e që ofron hapësira për zhvillimin e ideve inovative, vende të reja pune e gjithëpërfshirje”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Programi diku ia bën sefte me artistë e diku rikthen ata që veçse kanë qenë pjesë e edicioneve të kaluara të festivalit. Eugent Bushpepa, Mc Kresha, Lyrical Son, Lluni, Dren Abazi, Zig Zag Orchestra, Jericho e Zanat janë disa nga artistët të cilët i falin gjallëri qytetit të Ibrit me mbrëmje muzikore.
“Imagjinoni një komunitet paqësor që vlerëson dallimet dhe ngjajshmëritë. Imagjinoni një shoqëri që praktikon barazi gjinore e me empati më të zhvilluar. Imagjinoni një shoqëri më të gatshme e më të organizuar për tu ballafaquar me vërshimet, zjarret, e fatëkeqësitë tjera natyrore. Imagjinoni një shoqëri me shëndet të plotë e me mirëqenie. Imagjinoni hapësira të bollshme për realizimin e programeve kulturore, inovative e socializuese. Imagjinoni Mitrovicën, qytet të gjelbër, qytet të zhvilluar ekonomikisht, e pse jo kryeqytet kulturor të Evropës. Imagjinoni një Evropë e një botë më paqësore e më të qëndrueshme…”, vazhdon thirrja e shpresa e “Green Fest”.
Përveç muzikës, ky edicion sjellë edhe ekspozitën e Arian Mavriqit, publikimin e librit “Mbetjet plastike dhe unë”, shpalosje hulumtimesh ambientale, aktivitete në natyrë e program të pasur për fëmijë. / Katror.info