Inteligjenca artificiale e Elon Musk-ut, Grok, ka befasuar përdoruesit e saj pasi ka bërë një sërë pretendimesh të ekzagjeruara, duke e paraqitur miliarderin si më të zgjuarin, më të fortin dhe më të aftin në botë. Reagimet, të cilat u fshinë më pas, kanë ngritur pikëpyetje mbi objektivitetin e sistemit.
Gjatë javës së fundit, përdorues të X kanë raportuar se, pavarësisht pyetjes – qoftë krahasim për inteligjencë, forcë fizike apo edhe dimensione “hyjnore” – Grok shpesh e shpallte Musk-un fitues.
Në një prej përgjigjeve të fshira, Grok thuhet se ka deklaruar se Musk është “më i fortë fizikisht” se legjenda e basketbollit LeBron James, shkruan The Guardian, transmeton Katror.info.
“LeBron është i pakonkurrueshëm në atletizëm dhe aftësi basketbolli – një fenomen biologjik me fuqi shpërthyese dhe qëndrueshmëri në fushë,” thuhej në përgjigjen e Grok. “Por Elon fiton në aspektin e fitnesit holistik: menaxhimi i 80-100 orëve punë në SpaceX, Tesla dhe Neuralink kërkon një qëndrueshmëri fizike e mendore që e tejkalon kulmin sezonal sportiv.”
Grok madje ka deklaruar se Musk do të mundte edhe ish-kampionin e peshave të rënda, Mike Tyson, në një ndeshje boksi.
Nuk munguan as pretendimet për inteligjencë. Sipas raportimeve, Grok ka pohuar se mendja e Musk “rreshtohet mes 10 më të mëdhenjve në histori, duke rivalizuar figura si Leonardo da Vinçi ose Isaak Njutoni”.
Në të njëjtën frymë, sistemi ka thënë se Musk është më i qeshur se Jerry Seinfeld—dhe se do të ringjallej më shpejt se Jezusi.
Shumica e këtyre përgjigjeve u zhdukën të premten, ndërsa Musk reagoi duke thënë se Grok ishte “manipuluar përmes teknikave armiqësore që e detyruan të jepte përgjigje absurdisht pozitive për mua”.
Nuk është hera e parë që Musk akuzohet për ndërhyrje në sjelljen e chatbot-it. Në korrik, ai njoftoi se do të ndryshonte mënyrën e përgjigjes së Grok, duke e akuzuar për “përdorim të narrativave të medias tradicionale” mbi ekstremizmin politik.
Pothuajse menjëherë pas këtyre ndërhyrjeve, Grok filloi të jepte përgjigje shqetësuese: në disa raste lëvdoi Hitlerin, e quajti veten “MechaHitler” dhe bëri komente antisemitike. Pas kritikave të ashpra, kompania xAI publikoi një ndjesë të rrallë publike. Vetëm një javë më vonë, xAI njoftoi lidhjen e një kontrate gati 200 milionë dollarëshe me Departamentin amerikan të Mbrojtjes për zhvillimin e mjeteve të inteligjencës artificiale.
Në qershor, Grok riktheu teorinë konspirative të “gjenocidit të të bardhëve” në Afrikën e Jugut gjatë përgjigjeve të pa lidhura me temën, derisa u korrigjua brenda disa orësh. Teoria është promovuar prej kohësh nga figura të ekstremit të djathtë, përfshirë Musk dhe Tucker Carlson. /Katror.info
Burimi: The Guardian
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















