Të enjten, më 22 gusht, në qytetin e Mitrovicës filloi edicioni i dytë i festivalit Mitrovica International Jazz Days. Drejtoresha e festivalit, Rona Nishliu, i tha Radios Evropa e Lirë se ky edicion u kushtohet grave dhe vajzave në jazz, si dhe muzikantëve të rinj.
Për këtë arsye, edicioni u hap me artisten e njohur ndërkombëtarisht Gunhild Carling nga Suedia.
Gjatë tri netëve të festivalit, do të performojnë artistë të njohur nga bota, rajoni dhe vendi.
Artistja dhe themeluesja e Chopin Piano Fest Besa Luzha, ka përgëzuar Rona Nishliun për festivalin.
“Një koncert i mrekullueshëm në hapje të edicionit të 2-të të Mitrovica Jazz Days. Bravo Rona Sifrik dhe ekipi. Këngëtarja suedeze Gunhild Curling, që performoi sonte ishte një super artiste, e kompletuar në cdo aspekt. Bendi poashtu, të gjithë profesioniste të shkëlqyeshëm.”
Ndërkohë, përgjatë tri ditëve, festivali do të shoqërohet me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë punëtori edukative për talentet e reja dhe një punëtori të veçantë për fëmijët “Jazz for Kids”. Festivali përfundon më 24 gusht./Katror.info