Filmi kosovar “HANA”, i prodhuar nga AJO Pictures, shënon premierën botërore në edicionin e 56-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Goa (Indi), një festival i kategorisë A dhe ndër më prestigjiozët në botë. Filmi është përzgjedhur në kategorinë zyrtare të garës për ICFT–UNESCO Gandhi Medal Award, çmim që nderon filmat që promovojnë idealet e UNESCO-s si toleranca, dialogu ndërkulturor dhe paqja.
Në qendër të filmit është Sara, një aktore që bashkohet me një program Art Terapie në Qendrën e Rehabilitimit për Gratë në Kosovë, duke ndihmuar të mbijetuarat të shndërrojnë dhimbjet e tyre në art. Ndërsa përballet me historitë e grave, ajo confronton plagët e veta të lidhura me babanë dhe identitetin e saj të dytë, Hana.
Premiera do të mbahet më 23 nëntor, ku e pranishme do të jetë edhe aktorja kryesore Ilire Vinca. Në rolet kryesore interpretojnë gjithashtu: Sheqerie Buçaj, Refet Abazi, Ermin Bravo, ndërsa kastin e plotë e kompletojnë artistë të tjerë nga Kosova.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe përbën një hap të rëndësishëm në prezantimin e kinemasë kosovare në skenën ndërkombëtare./Katror.info











