Një aktivitet i veçantë i pret fëmijët mbi 10 vjeç te Parku, afër Postës Kryesore në Dardani në Prishtinë.
Drejtoria e Kulturës dhe Qendra Kulturore për Fëmijë në Komunën e Prishtinës kanë ftuar fëmijët të bashkohen në Kinemanë e hapur “Film N’Park,” që do të mbahet nga data 26 gusht deri më 1 shtator, duke filluar nga ora 19 e mbrëmjes. Filmat kosovarë dhe botërorë të përzgjedhur nga Prifest, Anibar dhe Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaqen nga ora 20:00 ndërsa fëmijët do kenë “një përvojë unike verore me filma.”
“Mos e humbisni këtë mundësi për të kaluar mbrëmje të paharrueshme në shoqërinë e filmit dhe natyrës!,” thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria e Kulturës me përkrahjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP)./Katror.info