Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër moment historik në diplomacinë ndërkombëtare, me hapjen zyrtare të ambasadës së saj në Kuala Lumpur, kryeqytetin e Malajzisë, shkruan Katror.info.
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë veprim si “një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë”.
“Një prani edhe më të fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi,” shkroi Osmani, duke theksuar rëndësinë që ky zhvillim ka për forcimin e aleancave ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimin e interesave të qytetarëve të saj.
Ajo e përmendi ambasadën si një “shtëpi më shumë e Kosovës”, ku do të mbrohet me vendosmëri “shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”.
Hapja e ambasadës është një hap konkret drejt zgjerimit të pranisë ndërkombëtare të Kosovës dhe përforcimit të marrëdhënieve me Malajzinë – një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë tonë. Ky zhvillim përkon me vizitën zyrtare të Presidentes Osmani në Malajzi me ftesë të Kryeministrit Anwar Ibrahim./Katror.info.
Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi. Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi…
Posted by Vjosa Osmani on Friday, May 2, 2025