Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është hapur foto-ekspozita e autorit Asllan Krasniqi, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kjo foto-ekspozitë, me moton “Kosova me 100 kalorës, Prishtinë-Vlorë”, përmban 100 fotografi që simbolizojnë 100 vjet të shtetit shqiptar.
Asllan Krasniqi rrëfeu rrugëtimin e kalorësve në vitin 2012 nga Prishtina për në Vlorë, për të cilin tha se ishte rikonstruimi i ngjarjes së vitit 1912, po ashtu edhe rrugëtimin e Isa Boletinit në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Për më tepër, fotoreporteri Krasniqi thotë se ka njerëz që interesohen për këto fotografi, të cilat për herë të parë i ka ekspozuar në Prishtinë.
“Qëllimi është se sa më shumë njerëz ta shohin këtë ekspozitë me fotografi që simbolizojnë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë nga Prishtina në Vlorë. 10 vite i kam ruajtur, është për herë të parë që i ekspozoj këto fotografi në Kosovë”, tha Krasniqi për KosovaPress.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 nëntor.