Me 625 metra lartësi, Ura e Kanionit të Madh Huajiang në provincën Guizhou të Kinës është shpallur zyrtarisht ura më e lartë në botë. Ky projekt gjigant inxhinierik është një urë e varur me një gjatësi prej 1.420 metrash, e cila lidh dy brigjet e thepisura të kanionit malor Huajiang, shkruan DW Shqip.
Hapja e urës ka sjellë një ndryshim të madh për banorët dhe udhëtarët: udhëtimi që më parë zgjaste rreth dy orë përmes rrugëve malore të ngushta, tani mund të përshkohet në vetëm pak minuta.
Ndërtimi i urës zgjati tre vjet dhe kushtoi më shumë se dy miliardë juanë (afro 280 milionë dollarë amerikanë).
Sipas mediave shtetërore kineze, 18 nga 20 urat më të larta në botë ndodhen në Kinë, duke e bërë vendin lider absolut në ndërtimin e urave gjigante.
Kjo urë tashmë është jo vetëm një infrastrukturë funksionale, por edhe një atraksion turistik që pritet të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota, të cilët duan të shohin nga afër “mrekullinë e re” të inxhinierisë kineze. /Katror.info