Në krye të KFOR-it, pas datës 3 tetor, do të rikthehet për herë të dytë gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutaş. Kjo është hera e parë në historinë e KFOR-it që një gjeneralmajor rikthehet në detyrë që nga vendosja e këtij misioni në Kosovë në vitin 1999.
Ndryshe, gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë komandën e KFOR-it Ulutaşit, ndërsa Admirali Stuart B. Munsch, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, do të kryesojë ceremoninë.
Për këtë zhvillim, edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë kishte konfirmuar më herët në një intervistë për Telegrafin.
“Po ashtu mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë”, kishte deklaruar diplomati turk, Tunç Angili.
Ceremonia e ndërrimit të komandës midis Komandantit të KFOR XXIX dhe Komandantit të KFOR XXX do të zhvillohet në shtabin e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, në Kampin Film City, Prishtinë, më 3 tetor 2025, në orën 11:00./Telegrafi/Katror.info