Në fshatin Jukkasjarvi, rreth 17 kilometra nga Kiruna, ndodhet Icehotel, hoteli i parë në botë i ndërtuar krejtësisht nga akulli dhe bora. Çdo vit, që nga hapja e tij e parë në 1990, hoteli rindërtohet nga dhjetori deri në prill, duke u shndërruar në një labirint magjik të artit dhe arkitekturës akullore.
Idetë për Icehotel nisën në 1989, kur artistë japonezë vizituan zonën dhe krijuan një ekspozitë arti në akull.
Një vit më vonë, artisti francez Jannot Derid organizoi një ekspozitë për kasollet e ndërtuar nga bora ku ishin aty pranë, por kur nuk kishte dhoma të lira për vizitorët e tij, disa prej tyre u futën në ato kasolle të vogla prej bore dhe fjetën mbi lëkura drerësh – dhe kështu u shënuan vizitorët e parë të hotelit.

Çdo vit, tonë të tëra akulli nxirren nga lumi i ngrirë Torne dhe ruhen në një depo të specializuar. Akulli përdoret për ndërtimin e barit të akullit dhe për punime artistike, ndërsa bora përdoret për strukturën kryesore të hotelit.
Çdo suite është unike, ndërsa artizanët nga e gjithë bota konkurrojnë për të dizajnuar dhomat dhe ambientet e ndryshme: kishën, recepsionin, hollin kryesor dhe Icebar-in.
Hoteli ka një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorë, dhe struktura mbetet nën pikën e ngrirjes, rreth −5°C. Kur pranvera vjen, gjithçka shkrin dhe kthehet përsëri në lumin Torne, duke e bërë hotelin një fenomen sezonal që ekziston vetëm katër muaj në vit.

Vizitorët mund të qëndrojnë në dhoma të pajisura me krevatë dhe karrige akulli, të shijojnë pije në gota akulli dhe të shijojnë artin unik të hotelit. Përveç bukurive të brendshme, aurora boreale është një tjetër atraksion që vizitorët mund të shohin gjatë dimrit.
Përtej qëndrimit, Icehotel ofron edhe kurse skulpture në akull, ngjarje speciale dhe hapësira për lansime produktesh. Deri tani, hoteli ka pritur më shumë se një milion vizitorë, disa prej të cilëve vetëm për të shijuar ambientin, pa fjetur natën aty.

Procesi i ndërtimit fillon zakonisht në mes të nëntorit, kur temperaturat bien mjaftueshëm për operacionet e topave të borës. Format e çelikut krijojnë strukturën bazë, mbi të cilën bora ftohet dhe ngrin.
Më pas, blloqet e akullit transportohen në hotel dhe artistët fillojnë punën e tyre për të dhënë jetë dhomave dhe suiterve me dizajn unik dhe art të përkohshëm. Hapja e hotelit bëhet në faza: pjesa e parë hapet në fillim të dhjetorit, dhe çdo javë një tjetër seksion bëhet i gatshëm për vizitorët, deri në fillim të janarit. /AP/Katror.info
















