Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se Kosova ka sasi të mjaftueshme të serumit kundër kafshimit të gjarprit dhe se janë furnizuar të gjitha qendrat që kanë kërkuar. Por në disa QKMF mungon siguria nëse serumi është në dispozicion, ndërsa mjekët e emergjencës theksojnë se rastet e kafshimeve nuk janë të rralla, por ato përfundojnë në Infektivë apo te mjeku familjar dhe vetëm në raste të rënda shkojnë në Klinikën Emergjente.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thotë se vendi është i furnizuar me serum kundër kafshimeve nga gjarpri. Në një përgjigje me e-mail për Radio Kosovën, IKSHPK njofton se “të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë kërkuar furnizim janë pajisur me serum”.
Sipas institutit, janë bërë thirrje të përsëritura që edhe qendrat e tjera të kërkojnë serum, sepse sasitë janë të mjaftueshme dhe të siguruara me kohë. Serumi është shpërndarë gjithashtu edhe në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe në repartet infektive të spitaleve rajonale.
Ai jepet intravenoz dhe rekomandohet të aplikohet sa më shpejt pas kafshimit nga gjarpri – më së miri brenda 1 deri në 2 orë, por mund të përdoret edhe deri në katër orë pas kafshimit.
Megjithatë, në terren ka pasiguri. Dr. Rushit Ismajli, mjek në një QKMF, thotë se nuk janë të sigurt nëse aktualisht e kanë serumin në dispozicion.
“Nuk e di akoma, më duket që nuk e kemi serumin. Por në raste të tilla, besoj se stafi do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmën e parë. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast”, thotë ai.
Ndërkohë, rastet e kafshimeve nuk janë aq të rralla. Në kohën e pandemisë kishte probleme me furnizimin me serum, dhe sipas dr. Basri Lenjani, specialist i Mjekësisë Emergjente, të gjitha rastet e rënda përfundonin në Klinikën Emergjente. Ai tha se tani rastet e lehta përfundojnë në klinika të tjera.
“Zakonisht në Shërbimet Emergjente Mjekësore, rastet e rënda përfundojnë vetëm kur ka komprometim të shenjave jetësore ose kur kanë nevojë për mbështetje të avancuar. Zakonisht kontakti i parë është me mjekun familjar dhe Klinikën Infektive”, tha Lenjani.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë deri tani është e ditur se jetojnë katër lloje të gjarpërinjve, ndër ta edhe lloji helmues Vipera ammodytes (gjarpri i gurit, nepërka).
“Nëse ju kafshon një gjarpër helmues, telefononi menjëherë në numrin 194, familjarët ose të afërmit tuaj, sidomos nëse zona e kafshuar nga gjarpri ndryshon ngjyrë, fryhet ose është e dhimbshme”.
Pas një kafshimi nga gjarpri, duhet të respektohen pesë rregulla të rëndësishme: Mos e lidhni gjymtyrën, mos e preni plagën, mos e thithni helmin, mos vendosni akull, mos e ngrini këmbën lart. Në vend të tyre, vendosni një garzë sterile në plagë dhe shkoni menjëherë në institucionin më të afërt shëndetësor. Këto janë këshillat që zakonisht i japin IKSHPK dhe Kryqi i Kuq./Katror.info