Guvernatori i Illinoisit, JB Pritzker, nënshkruan ligjin që ndalon terapinë me inteligjencë artificiale në këtë shtet amerikan. Me këtë veprim, Illinois është bërë shteti i parë në SHBA që ka rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet e shëndetit mendor. Ligji thekson se vetëm profesionistët e licencuar mund të ofrojnë shërbime këshillimi në këtë shtet dhe ndalon funksionimin e chatbotëve ose mjeteve të tjera të bazuara në AI si terapeutë të pavarur, përcjell TAR.
Ligji HB 1806, i titulluar “Ligji për mirëqenien dhe mbikëqyrjen e burimeve psikologjike”, gjithashtu përcakton se terapeutët e licencuar nuk mund të përdorin inteligjencën artificiale për të marrë “vendime terapeutike” apo për të kryer ndonjë formë të “komunikimit terapeutik”. Ai vendos kufizime edhe për mënyrën se si profesionistët e shëndetit mendor mund të përdorin AI në punën e tyre për shembull, është e lejuar vetëm për mbështetje shtesë, si menaxhimi i termineve, faturimi dhe detyrat administrative.
Projektligji u miratua njëzëri në të dy dhomat e legjislaturës së Illinois-it, çka tregon mbështetje të gjerë dypartiake. Ligji është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e planit të sapo zbuluar të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për AI-në, i cili parashikon një moratorium 10-vjeçar për çdo rregullim të inteligjencës artificiale në nivel shtetëror. Ky zhvillim vjen gjithashtu në një moment kur kompania OpenAI ka njoftuar përmirësime në aftësitë e modeleve të saj për të zbuluar vuajtjet mendore ose emocionale dhe se do t’u kërkojë përdoruesve të bëjnë pauza gjatë bisedave jashtëzakonisht të gjata.
Kanë hyrë në fuqi në Bashkimin Evropian rregulla të reja për transparencën e modeleve të inteligjencës artificiale (AI) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini. Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të zbulojnë se si funksionojnë modelet e tyre dhe cilat të dhëna janë përdorur për trajnimin e tyre. Për modelet më të avancuara, të cilat mbartin rreziqe më të mëdha, kërkohet dokumentimi i masave të sigurisë. Këto rregulla forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit, pasi zhvilluesit detyrohen të deklarojnë burimet e të dhënave që përdorin, përfshirë edhe nëse i kanë mbledhur automatikisht nga interneti. /Katror.info