Instagram ka arritur shifrën historike prej 3 miliardë përdoruesish aktivë mujorë, konfirmoi të mërkurën CEO i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg.
“Çfarë komuniteti i jashtëzakonshëm që kemi ndërtuar këtu,” shkroi Zuckerberg në Instagram.
Ky është një moment i madh për platformën e ndarjes së fotove, të cilën Meta e bleu në vitin 2012 për 1 miliard dollarë. Herën e fundit që kompania kishte bërë publike shifrat e Instagram-it ishte në tetor 2022, kur Zuckerberg tha se aplikacioni kishte kaluar 2 miliardë përdorues mujorë ,shkruan CNBC, transmeton Katror.info.
Meta kishte njoftuar në prill 2024 se nuk do të publikonte më në baza tremujore shifrat e përdoruesve aktivë mujorë dhe ditor për Facebook-un dhe aplikacionet e tjera. Në vend të kësaj, kompania raporton vetëm numrin e përdoruesve aktivë ditorë në gjithë familjen e aplikacioneve të saj. Në korrik, ky numër arriti 3.48 miliardë, duke kaluar edhe parashikimet e analistëve.
Me këtë arritje, Instagram i bashkohet Facebook-ut dhe WhatsApp-it, të cilët gjithashtu kanë mbi 3 miliardë përdorues aktivë mujorë. Vetë Zuckerberg kishte deklaruar më herët se Facebook dhe WhatsApp janë ndër platformat më të mëdha globale, secila me mbi 3 miliardë përdorues. /Katror.info
Burimi: CNBC
Përshtati dhe përktheu: Katror.info