Droni eksperimental Kratos XQ-58A Valkyrie ka përfunduar zyrtarisht një test në të cilin kontrollohej nga inteligjenca artificiale, njoftoi Laboratori Kërkimor i Forcave Ajrore (ARFL).
Fluturimi testues u zhvillua më 25 korrik në Kompleksin e Testimit dhe Trajnimit Eglin në Florida, gjatë të cilit droni ishte nën kontrollin e AI/pilotit për një periudhë prej tre orësh.
Ky test pasoi dy vjet kërkime dhe zhvillimi të kryera së bashku nga ekipi Skyborg Vanguard i përbërë nga personel nga laboratori i lartpërmendur dhe Qendra e Forcave Ajrore për Menaxhimin e Ciklit të Jetës, me qëllim zhvillimin e avionëve luftarakë pa pilot.
Si kujtim, Kratos XQ-58 Valkyrie është një avion luftarak pa pilot (UCAV) që Kratos Defense & Security Solutions po teston aktualisht për programin e Forcave Ajrore të SHBA-së për demonstrimin e goditjeve me kosto të ulët (LCASD). Valkyrie është projektuar të jetë “stealth” dhe është prodhuar si pjesë e portofolit të projektit të teknologjisë së aeroplanëve me kosto të ulët (LCAAT).
“Qëllimi është të zhvillohen agjentë të inteligjencës artificiale dhe të mësimit të makinerive që do të kryejnë aftësi moderne ajër-ajër dhe ajër-tokë që mund të transferohen menjëherë në programin CCA,” tha Kol. Tucker Hamilton, shefi i testimit të AI në Forcat Ajrore.
Programi CCA, emri i të cilit i referohet avionëve luftarak bashkëpunues, ka për detyrë zhvillimin e dronëve luftarakë që do të jenë në gjendje të operojnë së bashku me avionët luftarakë F-22 dhe F35 me pilotë njerëzorë.
Ekipi i Operacioneve Autonome Ajrore Luftarake (AACO) zhvilloi algoritmet e fluturimit dhe u shpenzua shumë kohë për të përmirësuar këto algoritme gjatë simulimeve, fluturimeve eksperimentale të avionëve X-62 VISTA, operacioneve të avionëve XQ-58A dhe testimit në tokë, shkruan Katror.info.
Në të ardhmen, droni XQ-58A Valkyrie do të shërbejë si mbështetje për pilotët njerëzorë dhe gjeneratën e gjashtë të avionëve luftarakë./Katror.info