Investitorëve që shpresojnë të mbështesin startup-in e ri të Inteligjencës Artificiale të ish-drejtoreshës kryesore të teknologjisë së OpenAI, Mira Muratit, u kërkohet të “angazhojnë” një minimum prej 50 milionë dollarësh, sipas dy burimeve që kanë dijeni për marrëveshjen.
Kështu shkruan Business Insider, sipas të cilit medium, Murati po mbledh rreth 2 miliardë dollarë kapital me një vlerësim prej 10 miliardë dollarësh për Thinking Machines Lab.
Dhe tani, sipas këti mediumi, burime të shumta thonë se “megarundi”, i udhëhequr nga Andreessen Horowitz, po i afrohet fazave të fundit të mbledhjes së fondeve.
Megjithatë, së paku deri më tani, një zëdhënës i Thinking Machines Lab nuk ka pranuar të komentonte.
Kështu, “raundi i investimeve” nuk është finalizuar dhe detajet mund të ndryshojnë.
Sidoqoftë, thekson BI, financimi pothuajse me siguri do të renditej si një nga raundet më të mëdha të investimeve fillestare në histori, të cilat zakonisht variojnë në shifra të ulëta deri në të mesme njëshifrore.
Kjo për faktin se një “çek prej 50 milionë dollarësh” është përtej mundësisë së shumicës së investitorëve tradicionalë fillestarë sepse do të përfaqësonte një përqindje të konsiderueshme, nëse jo të gjithë fondin e tyre.
Sipas BI, kërkesa minimale dhe vlerësimi i pasur pasqyrojnë entuziazmin e ethshëm të investitorëve për Inteligjencën Artificiale gjeneruese.
Murati kaloi më shumë se gjashtë vjet në OpenAI, ku punoi në zhvillimin e ChatGPT dhe iniciativave të tjera kërkimore të Inteligjencës Artificiale.
Ajo u emërua shkurtimisht CEO e përkohshme në nëntor 2023 pasi bordi i OpenAI shkarkoi papritur Sam Altman, një veprim që shkaktoi trazira brenda kompanisë. Pas rikthimit të Altman si CEO, Murati rifilloi rolin e saj si CTO. /Telegrafi/Katror.info