Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka njoftuar se është bërë pjesë e Rrjetit të Ri të Lidershipit të Grave të OKB-së, një platformë e rëndësishme që bashkon gra të jashtëzakonshme nga e gjithë bota.
Në këtë rrjet, Jahjaga do të angazhohet për të promovuar barazinë gjinore dhe përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse.
Ajo theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për avancimin e kauzës së barazisë gjinore dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjitha gratë.
“E lumtur të jem pjesë e Rrjetit të ri të Lidershipit të Grave të OKB-së, një platformë e fuqishme që bashkon gra të jashtëzakonshme nga e gjithë bota për të shtyer përpara kauzën tonë të përbashkët, atë të barazisë gjinore në pozita udhëheqëse. Së bashku, për një të ardhme më të mirë”, shtoi Jahjaga.
Rrjeti i Lidershipit të Grave të OKB-së mbledh një grup të ndryshëm të grave udhëheqëse, në mbarë botën për t’i avancuar të drejtat dhe lidershipin e grave.
Ky rrjet, i nisur gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, bashkon një grup global ndër-gjenerash dhe ndër-sektoriale të grave lidere që mbrojnë pjesëmarrjen e barabartë gjinore në udhëheqje dhe vendimmarrje.
Kur do të konstituohet i tëri, ky rrjet do të përbëhet nga një grup prej 100 gra udhëheqëse./Katror.info