Janet Reineck, amerikania 70-vjeçare që ka jetuar për disa vite Kosovë, ka treguar pse ka marrë këtë vendim të jetojë në Kosovë
Në emisioni “Ora 7” në Klan Kosova, Reineck tregon se për herë të parë ka dëgjuar për vallet e Kosovës në vitin 1980 në Zagreb.
“Në Zagreb në vitin 1980, kam qenë t’u shiku valle të ndryshme të Ballkanit, dhe mu kanë dukur bukur, por kur kam parë grupin e Vitisë aty, thash ‘çka është kjo me surla?’. Ka qenë diçka krejt tjetër, dhe thash, ‘aty do të shkoj’. Aty do të shkoj e të studioj për magjistraturën. Dhe kur kam shkuar në një katund afër Vitisë, çikat aty më kanë pranuar menjëherë në një dasmë. Kam ndejt një javë aty. E kam dit prej atij momenti që ky është vendi im”, tha Reineck.
“Kur kam jetuar në Kosovë, gjysmën e kohës kam qenë si femër, dhe jam ulur këmbëkryq me burrat në oda te oxhaku. Pra, kam mujt me jetu edhe si burrë. I kam grah kerrit në Kosovë e në Opojë kur asnjë grua s’i ka grahë”, thotë ajo për vitet e ‘80-ta në Kosovë.
Ndër të tjera, ajo ka folur edhe se si po ua mëson vallet shqiptare francezëve.
“Ata janë mësuar me vallet ballkanike, i dinë ritmet e Bullgarisë, Maqedonisë e Greqisë, por kurrë s’i kanë dëgjuar vallet e Kosovës. Në periferi të Francës, në Normandi, kadal-kadal ua kam mësuar vallet e dasmave, valle të thjeshta e deri te më të komplikuarat”, theksoi Reineck./Katror.info