Këngëtarja britanike Jessie J ka paralajmëruar daljen e albumit të saj të gjashtë, me titull “Don’t Tease Me With A Good Time”. Ai do të publikohet më 28 nëntor. Ky do të jetë projekti i saj i parë i plotë pas gati tetë vjetësh, që nga albumi “R.O.S.E.” i vitit 2018.
Albumi, i incizuar gjatë pesë vjetëve në Los Angeles, përmban 16 këngë dhe është përshkruar si “kaleidoskop i guximshëm emocionesh, që kap kulmet dhe uljet e dekadës së fundit”, ka raportuar FemaleFirst.
Në të kanë album bashkëpunuar producentë dhe muzikantë të njohur si Ryan Tedder, Jesse Boykins III, Los Hendrix dhe Marty Maro.
Disa nga këngët më të spikatura janë “Believe In Magic”, “No Secrets” dhe “Living My Best Life”, ndërsa albumi mbyllet me baladën “The Award Goes To”, të cilën Jessie e interpretoi për herë të parë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “BAFTA Television Awards”.
Jessie J u shpreh e emocionuar për këtë rikthim.
“Kanë kaluar tetë vjet që nga projekti im i fundit. Jam e mbushur me gëzim që më në fund ky album po ndahet me botën. Të punoja me njerëz kaq të veçantë dhe argëtues si Ryan Tedder, Jesse Boykins, Los Hendrix dhe Marty Maro ishte një bekim”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka shtuar se kjo muzikë përfaqëson shumë vite të jetës së saj.
“Këngët janë udhëtim nga dhimbja te gëzimi, drejt dritës dhe jetës pas humbjes. Është një rrugëtim që shumë prej nesh kalojmë, dhe shpresoj që këto këngë të jenë shoqërues për këdo që ka nevojë për një ‘soundtrack’, qofshin kohë të mira apo të këqija. Unë e dua muzikën, kam qejf ta ndaj me të tjerët, e dua lidhjen. E dua aventurën”, ka thënë tutje ylli.
Njoftimi vjen pas rikthimit triumfues të Jessie J në skenë, në festivalin “Radio 2 In The Park”, që ishte performanca e saj e parë pas shërimit nga kanceri i gjirit.
Për të festuar albumin, këngëtarja ka paralajmëruar një turne akustik në Britani dhe Evropë në vitin 2026, i cili nis më 7 prill në Birmingham dhe do të ndalet në Londër, Paris, Amsterdam dhe Bruksel.
Fansat mund ta porosisin paraprakisht albumin “Don’t Tease Me With A Good Time” përmes faqes zyrtare të artistes./KOHA/Katror.info