Këtë vit, IFA 2023 hapi dyert për robotët në të gjitha format dhe llojet. Nga lodrat e vogla si robotët Transformer, tek banakierët robotë që do t’ju bëjnë një koktej sipas dëshirës tuaj.
Në masën e atyre robotëve, njëri tërhoqi vëmendjen me pamjen e tij të lezetshme, e që të kujton më shumë një personazh nga video lojërat apo filmat vizatimorë, sesa një robot që mund të ketë një rol serioz në të ardhmen.
Është një robot, i quajtur Mirokai dhe i projektuar nga startup-i francez Enchanted Tools. Siç theksojnë ata vetë, Mirokai u krijua në më pak se një vit, dhe rreth 50 inxhinierë punuan për projektimin dhe prodhimin e tij. Ideja pas këtij roboti të lezetshëm, i cili është pak më shumë se një metër i gjatë dhe peshon rreth 30 kilogramë, është të ndihmojë në vende si spitalet, shkruan Katror.info.
Gjegjësisht, Mirokai është i pajisur me 4 kamera dhe 4 mikrofona, sensorë ultrasonikë, të cilët të gjithë mundësohen nga 2 procesorë dhe 2 procesorë grafikë, që mundëson lokalizimin e objekteve, navigimin autonom, njohjen e fytyrës dhe zërit, si dhe “njohjen e ndërveprimit natyror”. Në vend të rrotave, Mirokai ka një top interesant që e lejon atë të jetë më i qëndrueshëm dhe të lëvizë më lehtë edhe në hapësira të ngushta.
Siç shpjegohet nga Enchanted Tools, Mirokai mund të ndihmojë në transferimin e gjërave, monitorimin e pacientëve dhe detyra të tjera në një spital të ngarkuar.
Edhe pse vetëm një prototip u prezantua në IFA 2023, Enchanted Tools shpreson që në të ardhmen Mirokai të mund të hyjë në prodhim serial. Por, siç shtojnë ata, kjo do të varet kryesisht nga fakti nëse spitalet, shtëpitë e të moshuarve apo aeroportet do të njohin dhe kuptojnë potencialin e Mirokait./Katror.info