Kayak Fest, i cili u zhvillua nga data 9 deri më 11 gusht në Liqenin e Batllavës, nuk ishte thjesht një ngjarje sportive dhe argëtuese, por edhe një platformë për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar përfshirjen dhe barazinë.
Organizatorët e Kayak Fest 2024 kanë dorëzuar sot të hollat e mbledhura gjatë festivalit për shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK). Ky donacion u prit me shumë mirënjohje nga përfaqësueset e DSK, Marigona Sadiku dhe Drenusha Bujari, në selinë e shoqatës.
Duke ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e sporteve ujore, festivali dëshmoi edhe një herë fuqinë e bashkimit për një qëllim të lartë.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij festivali ishte mundësia për çdo qytetar të kontribuojë me vetëm një euro, një shumë simbolike që shkoi drejtpërdrejt për të ndihmuar personat me Sindromën Down në Kosovë.
Megjithatë, mbështetja për Shoqatën Down Syndrome Kosova nuk mbaron këtu!
Çdo kontribut, sado i vogël, është shumë i mirëseardhur dhe ndihmon shoqatën në trajtimin dhe përkujdesjen për qindra persona me Sindromën Down në vendin tonë. /Katror.info