Policia e Shqipërisë ka publikuar planin e masave lidhur me Festën e Birrës që organizohet çdo vit nga datat 14 deri në 18 gusht në qytetin e Korçës.
Bëhet e ditur se nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore do të merren masa për bllokimin e qarkullimit të automjeteve nga “City Center” deri tek rrethrrotullimi në afërsi të terminalit, nga ora 18:30 deri në orën 01:00.
Orientimi i lëvizjes së automjeteve për në vendet e përcaktuara për parkim nga bashkia Korçë, kryesisht përreth terminalit të autobusëve, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake.
Gjithashtu, do të kryhet menaxhimi i trafikut gjatë lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në rrugët: “Midhi Kostani”, “Kiço Greço”, “Marigo Pozio”, në pikat e hyrjes në terminalin e autobusëve dhe në zonat e tjera përreth ku zhvillohen aktivitetet.
Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe në akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të policisë për të parandaluar krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cenojnë sigurinë publike./Katror.info