Ligji për Sponsorizime në Sport ua lejon klubeve basketbollistike të realizojnë të hyra monetare përmes sponsorizimeve, që pastaj ato të përkthehen në investime brenda vetë klubeve që ndihmojnë në zhvillim të sportit si dhe që përkrahin aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive.
Janë tri klube të basketbollit kosovar që gjatë vitit 2023 kanë realizuar të hyra prej mbi 1 milion eurosh në bazë të Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pra, paratë që kompanitë e ndryshme është dashur t’i paguajnë tatim shtetit, i kanë destinuar ato për zhvillim të sportit, në bazë të ligjit që e mundëson këtë. Janë mbi 15 milionë euro që janë ndarë për sport gjatë vitit kalendarik 2023, bazuar në këtë ligj. Në vitin 2022 ishin ndarë rreth 11 milionë, shkruan KOHA.
Mbi tre milionë e gjysmë euro kanë shkuar në vetëm tri klube të basketbollit.
Në bazë të listës zyrtare, klubi i basketbollit Peja ka përfituar nga sponsorizimi plot 1 milion e 372 mijë e 200 euro. Është rekord sa u takon të hyrave nga një klub i basketbollit nga Ligji për Sponsorizim në periudhën njëvjeçare.
Pason klubi i basketbollit Trepça me 1 milion e 143 mijë e 900 euro. Sigal Prishtina është aty pranë, me 1 milion e 106 mijë e 379 euro.
Milionëshit i është afruar edhe klubi nga Suhareka, Golden Eagle Ylli. Në bazë të marrëveshjeve nga sponsorizimi, të realizuara gjatë vitit 2023, Golden Eagle Ylli ka regjistruar të hyra prej 868 mijë eurove. Klubet e tjera të Superligës së Kosovës në basketboll kanë të hyra dukshëm më të vogla nga sponsorizimi.
Bashkimi i Prizrenit ka përfituar 268 mijë euro. Proton Cable Prizreni kishte të hyra në bazë të këtij ligji prej 231 mijë e 800 euro. Vëllaznimi ka realizuar të hyra prej 144 mijë euro, ndërsa Istogu 49 mijë e 500 euro.
Peja ka tri marrëveshje prej 100 mijë eurosh me Liridoni Construction, Liridoni Distribution dhe Qendra Tregtare Liridoni. Ka marrëveshje prej 200 mijë euro me Artmotion e një tjetër prej 280 mijë euro me Ventius International.
Një marrëveshje e Trepçës me kompaninë “Speex” është e vlefshme 200 mijë euro. Me IPKO, Trepça ka marrëveshje sponsorizimi prej 180 mijë eurosh.
Sigal Prishtina ka dy marrëveshje prej 90 mijë eurosh me Sigalin, ndër të tjera.
Marrëveshjet prej dhjetëra mijëra eurosh janë të shumta edhe nga shumë klube.
Të hyrat nga sponsorizimi nuk janë të vetmet për klubet. Shumica përfitojnë nga përkrahja komunale, pastaj nga shitja e biletave, të drejtat televizive. Por Ligji për Sponsorizim është burimi kryesor tash e shumë vjet.
Ligji parasheh që me këto mjete të përkrahen aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive. Ligji parasheh që “të realizohet interesimi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës”.
“Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30 %) nga tatimi në fitim”, shkruan në nenin 12 të Ligjit.
Në ligj shkruan se ATK-ja dhe organet kompetente mbikëqyrin dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorizimit.
Të hyrat e klubeve të Superligës së basketbollit nga sponsorizimi gjatë vitit 2023
Trepça: 1,143,900 euro
Peja: 1,372,200
Sigal Prishtina 1,106,379
Golden Eagle Ylli 868,000
Vllaznimi 144,000
Bashkimi 268,000
Proton Cable Prizreni 231,800
Istogu 49,500/Katror.info