Personeli mjekësor amerikan dhe gjerman nga Komanda Rajonale Lindje e KFOR-it ka zhvilluar një trajnim mjekësor për kujdesin ndaj qenve shërbyes K9 në Kampin Bondsteel.
Lajmin e ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media.
“Ekipet K9 të KFOR-it të cilat çdo ditë inspektojnë automjete, rimorkio dhe ngarkesa luajnë një rol thelbësor në sigurimin e misionit dhe të sigurisë. Trajnimi në manekinë realiste, që lehinin, merrnin frymë dhe kishin rrahje zemre, u mundësoi pjesëmarrësve praktikë mjekësore të realizueshme pa përdorimin e qenve të gjallë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Stërvitjet e tilla është thënë se forcojnë ndërveprimin, kohezionin dhe besimin e ndërsjellë mes personelit të KFOR-it.
Qentë K9 janë qentë të trajnuar posaçërisht për shërbime policore, ushtarake ose të sigurisë. Të njëjtit përdoren për gjetjen e drogës, eksplozivëve ose armëve, kërkimin dhe shpëtimin (p.sh. pas tërmeteve ose aksidenteve), mbikëqyrjen dhe sigurim i zonave dhe detyra taktike në ushtri dhe KFOR, si kontrolli i automjeteve dhe personave.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë./Albanian Post/Katror.info