Kiana Kryeziu ka bërë histori sportive në Lojërat Olimpike në Pekin. Ajo ishte kosovarja e parë që mori pjesë në një garë skijimi në një ngjarje të madhe. Tani, një vit më vonë, për të po vjen kampionati i parë botëror. 18-vjeçarja është plot pritje, siç rrëfen në intervistën për mediumin zviceran, 20minuten.ch.
“Është një ëndërr e realizuar për mua. Pas Lojërave Olimpike është një tjetër hap i madh për mua”, thotë Kryeziu. Ajo është shumë e lumtur që mund të përfaqësojë Kosovën në këtë skenë: “Një vend i vogël, por me synime të mëdha”, ka thënë Kryeziu në intervistën e publikuar në ballinën e 20 Minutten.
Fakti që ajo u fut fare në skijim ishte për shkak të babait të saj. Në fëmijërinë e saj të hershme, të dy tashmë qëndronin mbi ski. U zgjua ambicia. Kryeziu donte më shumë. “Ka shumë punë për të bërë, por ëndrrat janë të mëdha”, shpjegon ajo. Financimi është sigurisht një pengesë e madhe. Falë sponsorëve, përfshirë një zviceran dhe një kontributi të vogël nga Federata, kjo është megjithatë e mundur të arrihet. Por vetëm me shumë përllogaritje dhe kursime, transmeton Katror.info.
Pas paraqitjes së saj në Lojërat Olimpike, njerëzit në Kosovë filluan ta njohin në rrugë. “Ishte një gjë mjaft e madhe”, thotë ajo hapur. Mirëpo, duke qenë se skijimi në Kosovë është shumë prapa, asaj iu desh t’u shpjegonte shumë njerëzve se për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Nuk ka shumë zona skijimi në Kosovë – dhe objektet dhe infrastruktura janë të vjetruara. Kjo është një nga arsyet pse Kryeziu zakonisht udhëton në vende të tjera me të atin për t’u stërvitur.
Synimi i saj afatgjatë është të jetë pjesë e Kupës së Botës. Ajo ka një emër të madh si idhull, pikërisht skitaren nga Zvicra, Lara Gut-Behrami, bashkëshortja e futbollistit të mirënjohur me prejardhje nga Kosova, Valon Behrami. Zviceranja e frymëzon edhe talentin kosovar sepse garon në nivel të lartë në tri disiplina të ndryshme. “Ajo më ka dhënë shumë frymëzim dhe unë e shikoj atë”.
Në Lojërat Olimpike, ajo takoi për herë të parë idhullin e saj personalisht. Ishte në gjendje të shkëmbente edhe disa fjalë me Gut-Behramin. “Ajo ishte shumë e përzemërt dhe e këndshme me mua, edhe pse e shqetësova teksa po hante”, thotë kosovarja duke qeshur.
Por tani ajo do të jetë përsëri në të njëjtën rrugë me idhullin e saj. Kërcimi i madh në këtë fazë nuk pritet prej saj. Por një rezultat i mirë padyshim që do t’i ndihmonte skijimit dhe financimit të këtij sporti në Kosovë, e do t´i ndihmonte personalisht edhe familjes Kryeziu.
18-vjeçarja thotë: “Për mua është shumë e vështirë të jem larg familjes. Por unë gjithashtu e di se çfarë sakrifikon familja ime për realizimin e ëndrrës time”. Një ëndërr që po afrohet sërish mëngjesin e së enjtes./Katror.info