Anëtari i kryesisë së Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Dr. Luan Jaha, njëherit edhe Kryesues i Komitetit Shkencor të Kongresit të IV-të Klinik, është pranuar si Anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (Fellow of American College of Surgeons, FACS), njoftoi Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Kjo njohje prestigjioze u bë gjatë ceremonisë solemne në Kongresin Klinik të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve që po mbahet në San Francisko, SHBA.
Kjo arritje e Dr. Luan Jahës nxjerr në pah kontributin e jashtëzakonshëm të tij në fushën e kirurgjisë, përkushtimin në avancimin e praktikës dhe shkencës kirurgjikale, si dhe përpjekjet e tij të palodhshme për të promovuar standardet më të larta të kujdesit për pacientët në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kjo arritje pasqyron jo vetëm punën personale të Dr. Jahës, por është edhe njohje globale e përparimit që po bëhet brenda komunitetit kirurgjik të Kosovës./Katror.info