A është e mundur me punë vullnetare të mësohen e trajnohen 70 fëmijë çdo ditë pa pagesë? E kjo ndodh në fshatin Bardh i Madh ku gati për një vit Klubi i Pingpongut “Kosovari” ka bërë punë të mrekullueshme si me gjeneratat e reja, pjesëmarrje në gara, e po ashtu edhe në sigurimin e kushteve të nevojshme në sallën sportive, dhe me pajisjet e nevojshme të këtij sporti elitar.
Falë punës dhe angazhimit pa asnjë kompensim nga Kryesia e Klubit dhe veçanërisht nga trajnerët Agron Simnica dhe Jahja Tërmkolli, sot ky Klub garon në kompeticionet e organizuara nga Federata e Pingpongut e Kosovës si dhe çka është më e rëndësishmja në këtë klub ushtrojnë pa pagesë 70 fëmijë nga 3 herë në javë dhe ata tash kanë filluar të sjellin sukseset nga garat ku po marrin pjesë.
Trajneri Jahja Tërmkolli tha se motivi për këtë ishte në radhë të parë shëndeti i fëmijëve dhe që t’u ndihmonin atyre që sadopak të largoheshin nga bota teknologjike.
“Për momentin i kemi 70 fëmijë, pa pagesë, arsyeja është që me i largu pak prej teknologjisë edhe me i aktivizu, sepse sporti është shëndet, në qoftë se dikush thotë më mirë të hapet një sport e të mbyllet një ambulancë”, u shpreh Jahja Termkolli.
Vullneti nuk mungon, por as destinacioni përfundimtar i kësaj iniciative nuk është i pacaktuar. Tërmkolli thotë se nga këto grupe ka talentë të shumtë të cilët i premtojnë shumë këtij sporti në Kosovë.
“I kemi bë disa grupe, edhe është goxha shumë, është ngarkesë e madhe, por po mundohemi, jemi bërë disa kolegë, na u janë bashkuar edhe vullnetarë tjerë që e duan sportin, që e duan vendin e vet, edhe jemi duke u munduar ta bëjmë më të mirën. Po shohim që ka talentë, janë duke punuar mirë, janë duke ec përpara, por vyen punë”, shtoi Tërmkolli. Besoj që Klubit të Pingpongut Kosovari ka me iu kthy prapë ajo që e ka qenë në vitet e 70-ta e viteve 90-ta, që kemi qenë kampion, edhe unë besoj se këtu është tradita e pingpongut. Edhe besoj shpejt që kemi arrit edhe atë qëlllim”, tha tutje ai.
Ideja rreth investimit vullnetar në këtë nismë nuk erdhi rastësisht. Jahja Tërmkolli thotë se rritja me këtë sport dhe dashuria për të e bënë këtë punë të palodhshme, dhe se çdo punë që bëhet me vullnet do të ketë edhe sukses.
”Kur e do sportin është shumë lehtë, unë jam rritë me sport edhe kolegu im Agroni, d.m.th. prej 7 vjet kur i kam pasur unë kam ushtruar në klubin e PingPongut “Kosovari”, edhe vullneti nuk ka munguar. Kështu që e kemi në shpirt dashninë e sportit edhe pingpongut. Në qoftë se dëshiron me bë diçka aktivizim qytetar d.m.th. me pas vullnetarë, mos prit prej dikujt, por fillo vetë, sepse çdo send që bëhet nga një bashkim prej njerëzve dhe fillon me vullnetarizëm aty ka me pas sukses”, shtoi Tërmkolli.
E derisa fëmijët po përgatitën për gara të mëdha në të ardhmen, ata tashmë po luanin për garat rajonale të Pingpongut në Kosovë ku edhe siguruan vendin e dytë.
Që prej kur Klubi i Pingpongut “Kosovari” ishte themeluar, shume sportistë nga Bardhi i Madh i Komunës së Fushë Kosovës dhe nga vendet tjera përreth janë dekoruar me medalje dhe trofe të shumtë në nivel komunal, rajonal dhe më gjerë. Një tendencë kthimi e klubit ka qenë edhe në vitin 2000, por pas angazhimit vullnetar të banorëve të fshatit dhe nga sportistëve nga klubi i PingPongut PriPing nga Prishtina KPP “Kosovari” u rithemelua në shkurt të vitit 2023.
Renovimi i sallës në shkollën “Zejnel Salihu” është bërë në muajin dhjetor dhe gjithçka është bërë vullnetarisht. Disa nga banorët e fshatit kanë siguruar reflektorët, ngjyrat dhe brushat e të tjerët janë angazhuar për ta pastruar dhe ngjyrosur sipas standardeve të aplikuara për këtë sport.
Njëri nga këta vullnetarë, që nuk heziton fare t’i bashkohet çfarëdo lloj pune vullnetare të bashkëvendësve të tij është edhe Diedon Gërguri, i cili motiv kyç ka përparimin dhe suksesin e të rinjve në fushat që ata synojnë.
“Unë si bashkëfshatar i këtyre të rinjve dhe vullnetarëve të këtij fshati, iu kam bashkangjitur kësaj iniciative të sportistëve të rinj në përkrahje të një të ardhme më të mirë, që sportistët jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë vendit të shkëlqejnë në mënyrat e veta. Fillimisht kur kam ardhur këtu dhe i kam parë rininë dhe dëshirën e tyre për sportin veçanërisht për pingpongun, dëshira ime ka qenë që sadopak në mënyrë vullnetare t’iu ndihmojë në krijimin e kushteve më të mira. Fillimisht dihet se vendi ynë ka kaluar nëpër disa sfida të rënda, pastaj kushtet e jo të mjaftueshme si sportistë, edhe këtë e kam pasur si qëllimin kryesor dhe arsyen që t’i bashkangjitem këtij aksioni, për përmirësimin e kushteve dhe arritjen e qëllimeve për të gjithë të rinjtë”, tha Gërguri.
Përveç kësaj, ai shprehet se secili qytetar mund të bëhet pjesë e kontributit në shoqëri duke ndihmuar në çfarëdo lloj forme.
‘’Secili mund të kontribuojë qoftë vullnetarisht qoftë financiarisht, sepse rinia e këtij vendi duhet të ecë përpara, mbështetjen duhet ta gjejmë gjithmonë te vullneti. Vullneti është gjëja kryesore sepse pa vullnet nuk arrihet asgjë”, shtoi Gërguri.
Ndërsa njëri nga nxënësit që mori pjesë edhe në garën rajonale është edhe 14 vjeçari, Ledion Bajçinca, i cili thotë se ky trajnim është i dyfishtë për ata, pasi që ata përfitojnë edhe në aspektin fizik e po ashtu edhe kursejnë familjarët financiarisht.
“Është mirë sepse PingPongu të zhvillon në tru dhe në reflekset e shumta, edhe kursehen prindërit edhe fëmijët mësohen”, u shpreh Bajçinca.
Klubi i Pingpongut Kosovari është themeluar ne vitin 1973 dhe ka pasur aktivitete sportive deri në vitin 1997. Me rikthimin e tij në fillim të këtij viti, klubi si fillim siguroi pesë donatorë me ndihmën e të cilëve është regjistruar si klub dhe janë siguruar pajisjet sportive si tavolina, reketa e topa dhe po ashtu veshmbathje sportive të duhura dhe të brenduara, të nevojshme për të ushtruar aktivitete sportive./Katror.info
Edicionin #34 të plotë e gjeni KËTU 🙂