Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu.
Në fillim të takimit, Jashari e uroi gjeneralin turk për emërimin në pozitën e re dhe e falënderoi për vizitën në Kosovë. Dy komandantët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në fushat e trajnimit, edukimit dhe ngritjes së kapaciteteve ushtarake.
Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj FSK-së në forcimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve të saj.
Nga ana tjetër, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.
Të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes./Katror.info