Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim zëvendëskomandantin e përgjithshëm të KFOR-it, gjeneral brigade Cahit Irican, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe zëvendëskomandantin e Komandës Regjionale – Lindje, nënkolonelin Evan Hessel.
Në këtë takim, fokusi kryesor ishte situata e sigurisë në komunë dhe përurimi i dhomave mike për viktimat e dhunës në familje, një investim i financuar nga KFOR-i, që synon të ofrojë një hapësirë të sigurt dhe të përkohshme për viktimat në Stacionin e Policisë në Gjilan.
Për këtë qëllim, u nënshkrua një marrëveshje për pranimin e donacionit ndërmjet zëvendëskomandantit të Komandës Regjionale – Lindje, nënkolonelit Evan Hessel, dhe drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi.
Kryetari Hyseni falënderoi KFOR-in për këtë kontribut të rëndësishëm, duke e cilësuar si një hap të madh për mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe të miturve viktima të dhunës. “Ky investim është një dëshmi e angazhimit të institucioneve për të krijuar një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët,” u shpreh ai.
Kjo nismë vjen në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë dhe mbështetjes institucionale për viktimat e dhunës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në rajonin e Gjilanit./Katror.info