Kosova e Zvicra luajtën 1:1 në “Fadil Vokrri” dhe i mbajtën pozitat në tabelë që i kishin para ndeshjes të së martës mbrëma.
Ashtu si pritej, Zvicra u kualifikua në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, ndërsa Kosova do të luajë në plejofin për kualifikim në Botëror. Për Zvicrën është vetëm kualifikimi i radhës në një ngjarje të madhe futbolli. Për Kosovën është sukses historik – për herë të parë do të luajë në plejof për kualifikim në Botëror.
Ruben Vargas e kaloi Zvicrën në epërsi, para se Florent Muslija të barazonte.
Pa nisur ndeshja u ndezën fishekzjarrë, me gjasë për suksesin e Kosovës në kampanjën kualifikuese. Ishte shenjë që kualifikimi në plejof vlerësohej sukses maksimal dhe realizim i synimeve. Për kualifikim direkt në Botëror, Kosovës të martën i duhej fitorja 6:0. Por një rezultat i tillë nuk ishte as afër.
Zvicra e fitoi Grupin B me 14 pikë dhe mund të fillojë me përgatitje për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Kosova e përfundoi garën në grup me 11 pikë në pozitën e dytë. Tani e pret me shumë interes shortin e plejofit që tërhiqet të enjten nga ora 13:00. Më 26 mars do ta luajë në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa shpresat janë se do të sigurohet finalja e plejofit, që zhvillohet më 31 mars. Vetëm katër përfaqësueset që fitojnë finalet e plejofit do të kualifikohen në Botëror.











