Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë. Saktësisht 15 vjet më parë, Kuvendi i Kosovës në një ceremoni solemne në orën 15 e 39 shpalli Deklaratën e Pavarësisë duke u bërë shteti më i ri në botë.
Ky përvjetor shënon një moment të rëndësishëm në historinë e vendit dhe pavarësia e vendit nga Serbia shënohet në forma të ndryshme anembanë Kosovës.
Institucionet e Kosovës tashmë kanë shpalosur agjendën shtetërore për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë:
Viti 2023 është vit jubilar për Kosovën. Ai shënon më 17 shkurt, 15-Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25- Vjetorin e Epopesë së UÇK-së, festa këto për të gjithë kombin shqiptar.
E 15 vite më parë në Prishtinë u ngritën shtyllat e Kosovës tonë, me pavarësinë dhe me kushtetutën republikane e parlamentare. Deputetët e asaj legjislature dhe firmëtarët e pavarësisë, do të mbeten në histori, sepse Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm.
“Sivjet, e kemi një vit jubilar. Është 25 vjetori i Epopesë dhe 15 vjetori i Pavarësisë. Festa këto jo vetëm për Kosovën por për krejt shqiptarinë. Jasharët i vunë gurët e themelit, firmëtarët i ngritën shtyllat me Pavarësinë, e neve që vijmë më pas e kemi për detyrë të ngremë muret e Kosovës si vend i qytetëruar, demokratik, punëtor, ku avancon kultura dhe ekonomia. Rilindasi Sami Frashëri njëherë ka thënë “Liria është thelb i shpirtit dhe i mendjes”, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjate shpalosjes së agjendës shtetërore festive.
Ministri i Kultures Hajrullah Çeku tha se sivjet do të shënohet përvjetori jubilar të 17 shkurtit dhe 5, 6 dhe 7 marsit dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës, po përkujdeset që të ketë një program të begatë dhe të denjë për këto data.
Ndërkohë dizajneri grafik, Albian Gagica i cili dizajnoi dy llogot e këtij përvjetori ka spjeguar për Albanian Post se “kjo llogo është moderne”.
“15 vjet përjetë”
“Ka forma të thjeshta. Ngjyrat i ka simbolike për rolin e gruas si ngjyra e parë në atë paletë, pastaj flamuri i Kosovës, në qendër ka kuq e zi”, spjegoi më tej Gagica, duke zbërthyer kështu enigmën e vendosjes së ngjyrave në llogon festive të këtij përvjetori të pavarësisë.
“Ngjyra e gjelbert eshte organike, e ardhmja eshte e gjelbert”, shtoi Gagica.
“Kosova me natyrën e saj është e gjelbërt”.
Si artist, vendosjen simbolike të gruas në këtë përvjetor ai e spjegoi me të arriturat e grave e vajzave në arenën ndërkombëtare.
“Sepse femrat na zbardhin ftyren çdo ditë nëpër botë. Fakt”, specifikoi Gagica, pasi u pyet nga Albanian post për motivin e kësaj radhitje.
Ditët festive të 15 vjetorit të mvetësisë së Kosovës, do të nisin më 9 shkurt dhe do të përfundojnë më 12 të muajit tjetër.
Ministria e Kulturës ka publikuar agjendën e programit të Këshillit Organizativ të Republikës së kosoëvs dhe 15 vjetorin e Epopesë së UÇK-së e cila nisë me promovimin e monografisë së Ramiz Kovaçit dhe përfundon me “Kupën e flakadanit” në çiklizëm rrugor./Katror.info