Republika e Kosovës shënon sot 16-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, ditë e diel, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e demokratik.
Botës atë ditë iu shtua një shtet i ri. Shumë shpejt nisën njohjet e para të Kosovës, shtet i pavarur.
Sivjet kosovarët veç pavarësisë festojnë edhe lirinë e lëvizjes, meqë nga 1 janari fituan të drejtën që të udhëtojnë pa viza në vendet e Zonës Shengen.
PIkërisht për këtë cështje, monumenti NEWBORN, simboli i pavarësisë, përçon mesazhin e lirisë së lëvizjes. I vendosur para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në ditën e shpalljes së pavarësisë më 2008, sivjet ka ngjyra dhe mesazh të ri. “7 QIEJT”, që I referohet lëvizjes së lirë.
“A mundemi ne, aspirantët, besimtarët, shpirtrat e fortë të Kosovës, të fluturojmë mbi kufizimet e historisë sonë? A mund të fluturojmë nëpër ‘7 Qiej’, secila shtresë duke dhënë prova për vendosmërinë tonë të fortë dhe luftën e palodhur për liri?,” ka shkruar autori Fisnik Ismaili.
“Ndërsa shikojmë NEWBORN-in, le të pyesim veten: Sa lart mund të na çojnë ëndrrat tona? Sa larg mund të na çojnë aspiratat tona? Përgjigja jehon në zemrat tona dhe rezonon nëpër tokën tonë: Po, ne mund të fluturojmë”, shkruan në faqen “Neëborn Monument”.
Për të festuar 16 vjetorin, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të veçanta. Presidentja e shtetit dhe personalitete të tjera do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes si dhe do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi si dhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Për të nderuar këtë ditë të veçantë do të kenë mbledhje Qeveria dhe Kuvendi, derisa në të gjithë vendin, Dita e Pavarësisë do të shënohet me aktivitete të shumta.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.
Për 16 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera./Katror.info