Klubi i Astronomisë së Kosovës në një njoftim në Facebook ka njoftuar, se Kosova është bërë pjesë e rrjetit ndërkombëtar shkencor FRIPON / Vigie-Ciel, duke u bërë kështu vendi i parë në rajon që i bashkohet këtij sistemi global për monitorimin e meteorëve dhe gjurmimin e meteoriteve në mbarë botën.
Klubi ka njoftuar se, një kamerë është instaluar në Observatorin e Prishtinës, ndërsa tjetra në Departamentin e Fizikës të Universitetit të Tiranës, duke krijuar një bashkëpunim të rëndësishëm shkencor mes Kosovës, Shqipërisë dhe rrjeteve evropiane të Italisë e Rumanisë.
Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Prof. Dr. Sylvain Bouley, nga Société Astronomique de France dhe Université Paris-Saclay, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Ambasadës së Francës në Shqipëri, thekson Klubi i Astronomisë së Kosovës.
Sipas Klubit të Astronomisë, kamerat do të shërbejnë për zbulimin dhe analizimin e meteorëve, duke kontribuar me të dhëna të vlefshme shkencore për sistemin diellor dhe aktivitetin meteorik në qiellin tonë.
“Një hap i madh për astronominë në Kosovë, që na lidh me rrjetin ndërkombëtar të vëzhguesve të qiellit”, tha Klubi i Astronomisë së Kosovës. /Katror.info











