Tinguj shprese e paqeje kanë jehuar të dielën mbrëma në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Romë në koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të këtij institucioni dhe të Operës së Kosovës.
Me interpretimin e oratoriumit “La Tempesta sul Lago” të Domenico Bartoluccit, nën dirigjimin e maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli, në bashkëpunim me “Fondazione Bartolucci”, Kosova i është bashkuar festimit të Jubileut, të cilin Selia e Shenjtë e njeh si Viti i Shenjtë që organizohet çdo çerek shekulli.

Muzika hyjnore ka buçitur në ngrehinën që i ka themelet në shekullin VI, me veprën e frymëzuar nga episodi biblik i qetësimit të stuhisë nga Jezusi.
“Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, së bashku me Korin e Operës së Kosovës, kanë përbyllur prezantimin madhështor në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli. 138 muzikantë u bashkuan në skenë për këtë koncert të veçantë. Në bashkëpunim me Fondacionin Bartolucci, Filharmonia e Kosovës solli interpretimin e oratoriumit për solistë, kor dhe orkestër “La Tempesta sul Lago” nga Domenico Bartolucci. Nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli-t, në rolin e solistëve u paraqit një kast i jashtëzakonshëm artistësh, të cilët u duartrokitën gjatë nga publiku: Besa Llugiqi (soprano), Ivana Hoxha (mezzosoprano), Carlos Cardoso (tenor) dhe Biagio Pizzuti (bas), thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës.
Ka qenë një mbrëmje madhështore me mesazhe të fuqishme, thirrje kolektive të Korit që fuqizohet nga loja e orkestrës, bashkë me solistët Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti. Koncerti – që është transmetuar edhe në RAI Classica – është cilësuar si një kapitull historik jo vetëm për skenën kulturore të Kosovës./Koha/Katror.info












