Kosova mori pjesë në sesionin e 46-të të Konferencës Ministrore të Frankofonisë (CMF), që u mbajt më 19 dhe 20 nëntor 2025 në Kigali, Ruandë. Në krye të delegacionit ishte Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ndërsa anëtarë të tij ishin Shemsi Krasniqi, Përfaqësues personal i Presidentes së Kosovës në Frankofoni, dhe Arbër Maliqi, Sekretar i Dytë i Ambasadës së Kosovës në Paris.
Tema e konferencës ishte “30 vjet pas Pekinit: Kontributi i grave në hapësirën frankofone”. Në fjalën e tij, Zëvendësministri Dobra vlerësoi rolin e grave kosovare në lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe theksoi kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të pavarur të Kosovës. Ai shprehu gjithashtu besimin se Kosova do të avancojë së shpejti statusin e saj në këtë organizatë, nga anëtar i asociuar në anëtar me të drejta të plota, dhe bëri thirrje që shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë sa më parë.
Delegacioni pati takime me përfaqësues të shteteve dhe qeverive anëtare të Frankofonisë, si dhe me Sekretaren e Përgjithshme të organizatës, Louise Mushikiwabo. Një ditë para konferencës, Kosova mori pjesë në sesionin e 132-të të Këshillit të Përhershëm të Frankofonisë, ku kontribuoi në hartimin e “Thirrjes së Kigalit”, dokument që promovon barazinë gjinore në hapësirën frankofone.
Vizita u përmbyll me homazhe në Memorialin e Gjenocidit në Kigali, ku delegacioni vendosi kurora me lule në emër të Republikës së Kosovës, dhe Zëvendësministri Dobra nënshkroi Librin përkujtimor./Katror.info











