Për herë të parë, Kosova po merr pjesë në Konferencën Evropiane të Jazz-it (European Jazz Conference), përmes Mitrovica International Jazz Days. Lajmin e ka ndarë drejtoresha e festivalit, artistja e njohur Rona Nishliu, duke theksuar se kjo pjesëmarrje vjen me ftesë të veçantë, ku Kosova merr pjesë si mysafire zyrtare, shkruan Katror.info.
“Është nder i madh të përfaqësojmë Kosovën në këtë platformë ndërkombëtare, të shkëmbejmë ide dhe të ndërtojmë ura përmes muzikës,” ka shkruar Nishliu në postimin e saj.
“Mitrovica International Jazz Days është ftuar me ftesë të veçantë erdhi nga Karolina Juzwa, Presidente e Europe Jazz Network (EJN), së cilës i shprehim mirënjohjen më të thellë për mikpritjen dhe përkrahjen. Është një nder i jashtëzakonshëm të përfaqësojmë Kosovën në këtë platformë ndërkombëtare prestigjioze dhe të krijojmë lidhje të reja përmes fuqisë së muzikës,” ka njoftuar Mitrovica International Jazz Days.
Europe Jazz Network është një rrjet ndërkombëtar që përfshin mbi 180 organizata nga më shumë se 35 vende evropiane, duke përfshirë festivale, klube, qendra kulturore dhe institucione të muzikës kreative. Qëllim i EJN është të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar, diversitetin kulturor dhe artistik, dhe zhvillimin e qëndrueshëm të skenës së xhazit në Evropë.
Konferenca përfshin sesione diskutimesh, koncerte të kuruara dhe aktivitete rrjetëzimi. Edicioni i 11-të i konferencës po mbahet në Bari, Itali, nga 25–28 Shtator 2025, nën moton: “Somewhere called HOME”.
Ky është një hap i rëndësishëm për vendosjen e Kosovës në hartën ndërkombëtare të jazz-it dhe kulturës evropiane./Katror.info