Një fëmijë nën moshën dy-vjeçare ka marrë ndër ilaçet më të shtrenjta “Zolgensma”. Në Pediatri është aplikuar kjo terapi për trajtimin e sëmundjes së atrofisë spinale muskulare. Kjo është hera e parë që kjo terapi gjenetike është dhënë në Kosovë, e cila ka vlerën rreth dy milionë e 125 mijë dollarë
Shefi i repartit të Neurologjisë në Pediatri, Naim Zeka, tregon procedurat që kanë ndjekur për të fituar terapinë falas nga kompania “Novartis”.
“Neve me datën 7 mars të këtij viti kemi aplikuar terapinë gjenetike për sëmundjen e atrofisë spinale muskulare. Është një sëmundje vdekjeprurëse e cila deri para disa viteve ka qenë e gjykuar për të vdekur këta fëmijë. Fatmirësisht para katër viteve, disa para pesë viteve, kanë filluar me terapi trajtuese.”
Sipas tij, ky ilaç pritet të bëjë revolucion në trajtimin e kësaj sëmundje.
Ai, në intervistën për KosovaPress, thotë se kjo sëmundje është e rrallë dhe vdekjeprurëse.
Teksa flet për aplikimin që kanë bërë në kompaninë zvicerane, Zeka thekson se procedurat kanë nisur para më shumë se një viti. Shefi i shërbimit të neurologjisë pediatrike thotë se terapia e aplikuar është më e shtrenjta në botë.
Në Pediatri trajtohen tetë fëmijë me sëmundjen e atrofisë spinale muskulare. Doktor Naim Zeka potencon nevojën e detektimit të hershëm, gjë që i mungon Qendrës Klinike Universitare.
Për aplikimin e ilaçit më të shtrenjtë në botë, janë zhvilluar dy cikle të trajnimit përmes stafit qendror të kompanisë “Novartis”.
Para aplikimit të terapisë, stafi i repartit të Pediatrisë janë pajisur me certifikata, ku kompania i ka autorizuar për të bërë trajtimin e fëmijëve me këtë terapi./KP