Në gusht 2025, Shqipëria regjistroi një dinamikë interesante në marrëdhëniet tregtare me vendet partnere, sipas raportit të fundit të Instat-it.
Eksportet e mallrave u rritën me 12,9 për qind në krahasim me gushtin e vitit 2024, dhe importet u ulën me 2,7 për qind.
Por nuk janë thjesht përqindjet që bien në sy – janë partnerët dhe ndryshimet me ta që tregojnë drejtimin e ri tregtar.
Në muajin gusht, Kosova ishte partneri me rritjen më të madhe të eksporteve, me një rritje prej 94,6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Greqia regjistroi 19 për qind rritje, ndërsa eksporte drejt Spanjës u katërfishuan. Në anën tjetër, Italia dhe Gjermania shënuan ulje: eksportet drejt Italisë ranë me 19,6 për qind dhe drejt Gjermanisë me 16,1 për qind.
Kur vjen puna te importet, Kina ishte burimi kryesor i rritjes, duke shënuar 18,3 për qind më shumë se një vit më parë, së bashku me Greqinë dhe Kosovën. Si vend me uljen më të madhe të importeve për gusht 2025 u rendit Italia (–9,8 për qind), ndjekur nga Turqia (–18,1 për qind) dhe Gjermania (–9 për qind).
Për tetëmujorin, Italia mbetet partneri dominues: ajo zë rreth 26 për qind të gjithë importeve dhe eksporteve me vendet e BE-së. Ndërsa Kosova shënoi rritje të theksuar të eksportit prej 75 për qind, duke u bërë një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm./Albanian Post/Katror.info