Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.
KQZ njofton se pas përmbylljes së afatit më 17 shtator për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, në ditët në vazhdim kërkesat për akreditim mund të dorëzohen brenda afateve në vijim: deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave joqeveritare vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, ndërsa deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas KQZ-së, procesi i aplikimit realizohet në dy hapa. Hapi i parë përfshin plotësimin e të dhënave të kërkuara nga përfaqësuesi i autorizuar i organizatës apo institucionit përkatës në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org. Hapi i dytë përfshin shqyrtimin e kërkesës nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), e cila do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, përfaqësuesi i autorizuar do të pranojë përmes emailit kredencialet për qasje në platformën online, të cilat i mundësojnë atij/asaj që të plotësojë edhe të dhënat për personat që kërkohen të akreditohen.
Për lehtësimin e procesit, në platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar edhe një video udhëzuese që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rikujton se vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë të drejtë të vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, si dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)./RTK./Katror.info