Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar sot sqarimin zyrtar nga kompania CETIS, lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës.
Sipas njoftimit për media, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit. Për shkak se sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
CETIS ka bërë të ditur se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie, të cilat e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre. Kompania ka shprehur keqardhje të thellë për incidentin dhe ka konfirmuar se mbetet në bashkëpunim të plotë me KQZ-në për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, KQZ ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit./Katror.info











