Krahët e Punëtorëve i regjisorit Ilir Hasanaj ka rrëmbyer çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27 të festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, Guanajuato International Film Festival, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.
Juria që ka përzgjedhur filmin fitues, e përbërë nga filmbërësit Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle në deklaratën e saj është shprehur:
“Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anë e mbanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”.
Regjisori Ilir Hasanaj ka falenderuar jurinë për këtë çmim duke theksuar rëndësinë e temës së filmit dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin e filmit.

“Falenderoj jurinë për ndarjen e këtij çmimi dhe për njohjen e punës tonë dhe të rëndësisë që ka trajtimi i kësaj teme. Një mirënjohje e thellë për ekipin, veçanërisht Enisit dhe Viganit të cilët kanë qenë të durueshëm dhe i kanë besuar idesë së projektit. Për mbështetjen e tyre e falenderoj edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe mbi të gjitha Milazimin, Fatmirin dhe Liridonin për guximin, urtësinë dhe besimin e treguar. Filmi është dedikim për të gjithë punëtorët që vazhdojnë të përjetojnë shtypjen”.
Pas premierës botërore në festivalin e Roterdamit ku filmi kishte fituar Tigrin e Artë, Krahët e Punëtorëve ka vazhduar shfaqjet në festivale të ndryshme botërore dhe premierën kombëtare do ta ketë në festivlin Dokufest, i cili nis prej datës 2-10 gusht në Prizren.

Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.
Frymëzimi për filmin i kishte ardhur regjisorit gjatë procesit të realizimit të filmit të tij debutues me dasht’, me dasht’, me dasht’, kur ai kishte qenë dëshmitar i rënies së një punëtori nga skelat e ndërtimit të improvizuara dhe kishte mbetur i shtrirë në tokë, i lënduar. Pikërisht pasiguritë në vendin e punës, e kishin frymëzuar regjisorin të përfshihej në një kërkim të gjerë, i cili është realizuar nga hulumtuesit Dafina Halili, Korab Mala dhe Mentor Mahmuti.
“ Tregimit e Milazimit, Liridonit dhe Fatmirit janë tregime të shumë punëtorëve të krahut në Kosovë e gjithandej në botë, prandaj duhet të dëgjohen nga më shumë njerëz. Jam tejet falenderues dhe mirënjohës edhe ndaj ekipit të filmit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e pashoq për realizimin e këtij filmi,” pat thënë më herët regjisori Ilir Hasanaj. /Katror.info