Lorika Govori është e reja tjetër e Prishtinës, që pas studimeve në Britani të Madhe, ka vendosur të kthehet dhe të ngrisë një biznes privat në Kosovë.
Kjo u bë e ditur nga nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, e cila përmes një postimi në Facebook tha se Lorika ka diplomuar për financa në Universitetin Amerikan të Londrës dhe Masterin në Marketing në Uels.
“Ajo pas shkollimit të saj, ka vendosur të kthehet në Kosovë për të themeluar biznesin ‘Punë n’dorë’. Me dhjetëra gra të punësuara, Lorika menaxhon kontrata me Amerikë dhe synon të deportojë në tregun evropian.
Bashkë me Jeta Rafunën vizituam punëtorinë e Lorikës dhe diskutuam për potencialin dhe sfidat që ka biznesi i dizajnit dhe rrobaqepësisë në Kosovë. Gratë si Lorika janë shembull për të motivuar ato që dëshirojnë të realizojnë ëndrrën dhe pavarësinë e tyre përmes biznesit. Puna e Lorikës është promovim i shtetit të Kosovës.”, ka shkruar ajo./Katror.info