Si ta dini kur është koha për të lënë punën tuaj, të lini një ekip, një kompani, dhe të bëni një ndryshim në karrierë?
Po pyesni veten nëse është koha për të ndryshuar shtigjet e karrierës? Është koha për një ndërrim të karrierës nëse vazhdimisht keni në mendje një gjë të tillë por ende hezitoni ta merrni vendimin final.
1.Nuk po mësoni gjëra të reja
Nëse nuk po sfidoheni me gjëra të reja dhe puna juaj ka kaluar në monotoni, mund të jetë koha për të bërë një ndryshim. Ju nuk po mësoni më nga detyrat, projektet apo gabimet tuaja. Puna juaj nuk është duke ju ofruar njohuri ose aftësi të reja. Kur nuk sfidoheni më në punën tuaj, ju nuk e jepni më të mirën nga vetja. Ju nuk po e shtyni më veten të bëni dhe të provoni gjëra të reja jashtë zonës suaj të rehatisë.
2. Nuk po vlerësoheni ose shpërbleheni
Një nga arsyet që njerëzit kanë sukses dhe e shtyjnë veten për arritje edhe më të mëdha është për shkak të kënaqësisë që ata marrin pasi të kenë arritur diçka. Kjo gjithashtu ka të bëjë me vlerësimin që merrni duke parë punën e vështirë dhe të shpërbleheni për të. Prandaj edhe ekzistojnë promovimet, ngritjet e pagave, shpërblime dhe çmime të ndryshme për të shpërblyer dhe motivuar punonjësit që tregojnë rezultate. Nëse një punonjës nuk pranon asnjërën nga këto, atëherë edhe dëshira për punë zvogëlohet.
3. Nuk shihni mundësi për zhvillim
Ju mund të doni një punë, ekipin dhe mjedisin. Ju madje mund ta doni atë që bëni, por kur ka zero mundësi për t’u zhvilluar, ju vetëm se po e dëmtoni karrierën tuaj. Nëse qëndroni në një punë ku nuk ju mundëson zhvillim të aftësive dhe njohurive të reja, kësisoj ju po ndaloni së zhvilluari dhe nuk do të jeni në gjendje t’i shihni mundësitë e mahnitshme që mund të ketë e ardhmja për ju.
Nëse e shihni veten të gatshëm për zhvillim por nuk mund ta bëni këtë nga pozita juaj aktuale, është koha të bëni një vlerësim dhe të kaloni në diçka që do t’ju lejojë të rriteni në kohën e duhur.
4. Puna aktuale po ndikon negativisht në vetëbesimin tuaj
Nëse filloni të dyshoni për veten dhe punën që bëni, atëherë duhet të ndryshojë diçka në mjedisin tuaj të punës. Nuk ja vlenë ta vazhdoni qëndrimin në një punë ose karrierë që nuk ju bën të ndjeheni mirë për veten tuaj, pavarësisht se cilat janë përfitimet financiare. Një karrierë përmbushëse duhet të jetë një nxitje për besimin dhe vetëvlerësimin tuaj, jo e kundërta e kësaj.
5. Ju ka humbur dëshira për punë
Kur ju mungon dëshira për punë, ju filloni të mos jepni maksimumin tuaj dhe kjo ndikon që të mos i përfundoni punët tuaja si duhet. Kjo ndikon jo vetëm në rezultatet e punës suaj, por edhe në energjinë tuaj në zyrë, si dhe në mënyrën e bashkëveprimit me të tjerët.
Nëse ndiheni të lodhur dhe jo të motivuar rreth punës/karrierës tuaj aktuale, duhet ta dini se kjo punë nuk është duke ju ndihmuar, mirëpo as ju nuk jeni duke ndihmuar ekipin dhe kompaninë.
6. Dëshironi më shumë
Arsyeja më e rëndësishme pse është koha për një ndryshim është kur dëshironi më shumë. Kjo pikë bashkon të gjitha arsyet e mëparshme. Dëshira për më shumë vjen nga dëshira për të mësuar më shumë, të rriteni, të sfidoheni, të vlerësoheni dhe të jeni të kënaqur me atë që bëni.
Ndryshimi ndoshta është një gjë e vështirë. Largimi nga zona juaj e rehatisë dhe hapësira juaj e sigurtë është edhe më e vështirë, por është e domosdoshme nëse doni të ngriteni dhe arrini qëllimet që ia keni caktuar vetes.
Gjëja që më së paku do të donit është të zgjoheni vite nga tani dhe të kuptoni se mund të kishit korrur suksese më të mëdha, nëse nuk do t’i injoronit shenjat që ju tregonin se është koha për ndryshim./Katror.info