Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u nderua me me Çelësin e Qytetit, në Waterbury, Connecticut.
Kurti u shpreh mirënjohës dhe falënderoi kryetarin e qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski dhe Senatorin Blumenthal për praninë e tyre, si dhe për nderimin me Çelësin e Qytetit
“Ne e dimë që ju jeni jashtë atdheut, por po ashtu e dimë që ju jeni brenda kombit dhe duke qenë brenda kombit kemi përgjegjësi për njëri tjetrit, e duhet të punojmë bashkë sa më shumë për një kontribut sa më të madh edhe shoqëror e familjar por e dhe shtetëror e kombëtar ashtu që shqiptaria që do t’ia lëmë brezave pas nesh të jetë shumë më e mirë se sa ajo që e kemi gjetur” tha kryeministri Kurti gjatë adresimit të tij.
Ndërkaq në fjalën e tij, Kryetari i Qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., që numëron një komunitet prej 12 mijë shqiptarëve, tha se komuniteti shqiptar në Waterbury është ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe se ata kontribuojnë çmueshëm në jetën shoqërore të qytetit. Ai u shpreh nderuar që sot qyteti po mirëpret kryeministrin Kurti dhe në emër të tij dhe qytetarëve, tha se ka kënaqësi që t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit, si vlerësim ndaj udhëheqjes dhe përkushtimit të Kryeministrit për nxitjen e miqësisë ndërkombëtare dhe simbol që dyert të qytetit të Waterbury janë gjithmonë të hapura për të.
Në kuadër të organizimit mikpritës kishte edhe një program kulturor-artistik me këngë dhe valle tradicionale./Katror.info