Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt New York-ut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nga zyra e kryeministrit bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit në SHBA, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe do të takohet me pjesëtarë të komunitetit shqiptar, si dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar dhe takimet e parapara synojnë thellimin e raporteve bilaterale me vendet partnere, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ndaj vendeve mosnjohëse dhe prezantimin e mundësive që Republika e Kosovës ofron për investitorët e huaj./Katror.info.