Fejsal Demiraj është kuzhinier që ka punuar në restorantin skandinav “Noma”, me renome botërore, përcjell albinfo.ch.
Ai gjatë pandemisë ka vizituar Kosovën, më konkretisht bjeshkët e Rugovës, për të parë rreth ushqimeve burimore, që mund të eksportohen jashtë vendit. Në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për produktin e qumështit, mazën.
“Për mua si shef i kuzhinës, që kam punuar në shumë restorante nëpër botë, kam provuar produkte të ndryshme, unë besoj që maza e vjetër që bëhet në Rugovë, që e pamë sot duke u prodhuar në Bogë, është një nga produktet më të mira në botë, edhe me siguri në top pesëshen e produkteve në Evropë, ndoshta edhe më lart”, tha Demiraj. Arsyeja që ky produkt është kaq i mirë qëndron në mënyrën e përgatitjes.
“Arsyeja është se mënyra e përgatitjes së mazës është shumë e vjetër, ndoshta me mijëra vjet dhe nuk ka ndryshuar, është e njëjta si para mijëra vjetësh, si tash”, tha Demiraj./Katror.info