“Kunst über alles” (Arti mbi të gjitha). Ky sllogan ndoshta asocion në vargjet e para të himnit të vjetër gjerman “Deutchland uber ales” (Gjermania mbi të gjitha), i cili tani më është i ndaluar, por “Kunst über alles” është slogan i shpikur nga grupi slloven Laibach, historia e të cilit është ndër më të diskutueshmet në Evropë, karrierë e shënuar me provokime, manipulime, skandale dhe incidente.
Historia e Laibach nuk është vetëm një histori për muzikën. Është një fenomen që nuk lë askënd indiferent.
Laibach u formua më 1 qershor 1980 në Trbovlje të Sllovenisë afër Lubjanës, një qytet i industrisë minerare. Anëtarët zgjodhën 1 qershorin si datën zyrtare të formimit të grupit pasi ishte data e përleshjeve të dhunshme të vitit 1924 midis punëtorëve të Trbovljes dhe Organizatës së Nacionalistëve Jugosllavë.
Laibach është emri në gjuhën gjermane i kryeqytetit slloven Lubjana, një emër i përdorur gjatë periudhës kur Sllovenia ishte pjesë e monarkisë së Habsburgëve, si dhe gjatë pushtimit nacist të Jugosllavisë në Luftën e Dytë Botërore.
Laibach që performon në tre gjuhë, anglisht, gjermanisht dhe sllovenisht, hutonte publikun për origjinën e tyre. Fillimisht një nga themeluesit e muzikës industriale marciale, Laibach më vonë ndryshoi drejtimin e tyre muzikor në një kryqëzim të ndikuar nga rock, pop dhe tekno.
Laibach, që nga fillimet e tij, është akuzuar për ekstremizëm të krahut të djathtë dhe të majtë dhe, nga viti 1984 deri në 1987, autoritetet në Jugosllavinë socialiste e ndaluan grupin të performonte në publik dhe të përdorte emrin “nazist” Laibach.
Edhe pas rënies së Murit të Berlinit, grupi mbetet i diskutueshëm në disa kontinente, falë videove të tij provokuese, fjalimeve politike para koncerteve, përzierjeve të himneve kombëtare të vendeve që nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, parullave dhe pamjeve specifike, kritikave të paqarta ndaj nacionalizmave, vënia në pikëpyetje e organizatave dhe ritualeve fetare, barazimi i regjimeve demokratike me ato totalitare dhe luajtja e shfaqjeve në vendet ku po ndodhin trazira përkatëse politike.
Muzika, estetika dhe koncepti i vizionarëve provokues Laibach, i cili përfshin gjithashtu punime grafike (kolazhe, postera) video dhe instalacione, vështirë se mund të përmblidhen në një zhanër.
Bëhet fjalë për krijime të papërpunuara industriale, me elektronikë, kitara, muzikë skenike, shfaqje teatrale si dhe një trajtim unik të materialit të këngëve të huazuara, versionet e grupeve Queen, Europe, Rolling Stones ose Beatles, të cilat shpesh kanë pak të përbashkëta me origjinalin dhe fokusohen më shumë në anën “ide” se si mund të marrin kuptim krejt tjetër në një ambient dhe koncept tjetër si dhe mënyrën specifike të performimit.
Historia e Evropës Lindore, duke përfshirë përvojën e diktaturës komuniste, përbën shtyllën kurrizore të estetikës së grupit Laibach, që shpesh thuhet se është parodi e regjimeve totalitare ose e tendencave autoritare.
Ky është një çelës thelbësor për punën e grupit. Leibach portretizon dhe pretendon joshjen e fashizmit pikërisht me ritmet makinerike që shpesh ngjallin muzikë marshuese ose baritonin thellësisht imponues të frontmenit Milan Fras. Ai i jep një kuptim tjetër motiveve. Ai përdor gjithashtu elemente vizuale dalluese si uniformat e zeza ose logot që ngjasojnë me simbolet naciste, komuniste dhe autoritare.
Laibach themeloi në vitin 1984 një kolektiv të quajtur “Neue Slowenische Kunst”, (Art i ri slloven), i cili ndoqi lëvizje të ndryshme të shekullit të 20-të. Ata përshkruanin kitsch-in e regjimeve totalitare duke përdorur teknikën e kolazhit konfuz dhe frikën nga kaosi dhe lufta. Një projeksion pornografik i imazhit të Josip Broz Tito në një koncert të hershëm të Laibach e bën grupin të padëshirueshëm për shumë regjime të atëhershëm në Evropë.

Në vitet 1990, lëvizja “Neue Slowenische Kunst” e shpalli veten një shtet të pavarur, global dhe joterritorial me pasaportat dhe himnin e vet, i cili natyrisht u regjistrua nga Laibach “Volk” (Populli) të vitit 2006, ku përfshinin përshtatjet e tyre të himneve të ndryshme kombëtare me një pikturë të deleve në kopertinën e albumit.
Laibach qëllimisht provokon dhe prish paragjykimet. Shfaqja e tyre skenike, në të cilën ata punojnë me fjalimet e diktatorëve, muzikën ushtarake ekspozon ritualet që lidhen me pushtetin.
Të ndjekësh Laibach-un do të thotë të tërhiqesh përmes një serie të tërë sferash të errëta dhe dramatike. Edhe detajet e vogla si titujt e posterave bëjnë referenca konkrete historike apo artistike. Koncertet e Laibach janë shembuj audiovizualë shumë koreografikë të konceptit Wagnerian “Gesamtkunstwerk” (vepër e plotë arti) që luan qëllimisht në një mbingarkesë informacioni intensiv. Koncerteve të tyre shpesh u janë paraprirë fjalimet provokuese.
Për shembull, kur grupi performoi në Beograd në vitin 1989, kur nacionalizmi serb ishte në kulmin e saj, fjalimi i mbajtur nga grupi Laibach i cili përfshinte retorikën nxitëse të Slobodan Millosheviqit duke përdorur edhe fjali në gjuhën gjermane, efekt që i jep ngjyrë “fashiste” fjalimeve të atëhershme të Millosheviqit u intensifikua nga një shfaqje e një filmi propagandistik gjerman të vitit 1941 mbi bombardimin e kryeqytetit serb.
Fjalim interesant ishte edhe në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 2004 ku ata mes seriozitetit dhe satirës deklarojnë se si vlerat e politikës amerikane po zëvendësohen me lakmi dhe dashurinë ndaj pushtetit. Fjalime të ngjashme kanë mbajtur edhe në qytete tjera gjithmonë duke u përqendruar në trendet negative dhe të rrezikshme të vendit dhe kohës, të cilat gradualisht shndërroheshin në normë.
Ajo që është magjepsëse te muzika e Laibach është se si në incizimet e tyre të versioneve të melodive të njohura ata zbulojnë dhe vajtojnë atë që fshihet nën manifestimet në dukje të pafajshme të kulturës pop.
Fashizmi dhe pushteti në përgjithësi magjepsin shumë. Laibach e pranon këtë, duke nxjerrë në pah tendencat sociale që do të donim t’i konsideronim një relike të së shkuarës, por që janë rikthyer në hapësirën publike vitet e fundit.
Ndonjëherë yjet e rock-ut mund t’u ngjajnë diktatorëve nga mënyra se si e kanë mbështjellë turmën rreth gishtit të tyre dhe këtë e ve në pah Laibach me shumë intensitete në performansat e tyre.
“Kur të gjithë vendosin gjithçka dhe të gjithë këndojnë çdo këngë” nga disko hit “Live is Life” nga grupi austriak Opus, në performancën e Laibach, papritmas shndërrohet në një festë triumfuese e kontrollit të plotë dhe harmonisë brenda një shoqërie krejtësisht të unifikuar jodemokratike
I njëjti efekt është po ashtu edhe me versionin e tyre të këngës “One Vision” (Një vizion) nga grupi Queen me tekste të përkthyera në gjermanisht nën titullin “Geburt einer Nation” (Lindja e kombit), duke “zbuluar” paqartësinë e rreshtave si “One race, one hope, one real decision” (Një garë (racë), një shpresë, një vendim i vërtetë).
Në albumin NATO, Laibach gjithashtu ripunoi në mënyrë të paharrueshme himnin e glam metalit të Evropës “The Final Countdown” si një epikë disko bombastike. Përpunime tjera të dukshme përfshijnë “Let It Be”, riinterpretim i albumit të Beatles. “Sympathy For The Devil”, (Simpatia për djallin) nga Rolling Stones si maxi-single që dekonstrukton këngën me të njëjtin emër me shtatë interpretime të ndryshme.
Në vitin 2015, grupi Laibach performoi në Korenë e Veriut duke e bërë atë grupin e parë rock perëndimor që performoi ndonjëherë në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, pavarësisht nga reputacioni i grupit për kritikën artistike të regjimeve totalitare.
Vizita ndodhi me rastin e 70-vjetorit të pavarësisë së Kores së Veriut. Këngët u shoqëruan me imazhe të stiluara nga postera propagandistike të Koresë së Veriut të projektuara në një ekran, me përkthime në koreanisht.
Por çfarë ishte në listën e këngëve që performoi Laibach në Phenian? Dhe çfarë mund të nënkuptojnë zgjedhjet e tyre të këngëve?
Siç premtoi grupi përpara se të udhëtonte në Korenë e Veriut, ata luajtën një numër këngësh nga Musikali i njohur amerikan “The Sound of Music”.
Nuk është hera e parë që ata i performojnë këngët – por zgjedhja për t’i kënduar ato në Pyongyang ishte e qëllimshme. Organizatori i turneut, Morten Traavik, i tha BBC-së se filmi “është shumë i njohur në Korenë e Veriut”. Kur një gazetar i Vanity Fair pat vizituar Phenianin, një koreano-verior iu ankua atij se duhej të shihte “The Sound of Music” më shumë se 100 herë. Muzikali i vitit 1965 është një nga filmat e paktë perëndimor që njerëzit lejohen të shikohen nga publiku për praktikën e gjuhës angleze.
Fakti që The Sound of Music ka të bëjë me një familje të arratisur nga Gjermania naziste nuk i ka bërë përshtypje autoriteteve të Koresë së Veriut.
Por çfarë tjetër kënduan ata atje? “Live is Life” disco hit nga grupi Opus. Një vështrim më i afërt i tekstit të këngës tregon se si mund të përshtatet mirë me të ashtuquajturin parim “Juche” të Koresë së Veriut të mbështetjes te vetja, si dhe me vlerat komuniste të shtetit.
- Kur të gjithë japim fuqinë / të gjithë japim më të mirën,
- Çdo minutë e çdo ore / mos mendoni për pushim,
- Atëherë të gjithë fitojmë fuqinë / të gjithë fitojmë më të mirën.
Vargje shumë të pranueshme dhe të këndshme për regjimin e Koresë së Veriut.
“Across The Univers” nga Beatles, kënga u shkrua gjatë periudhës kur John Lennon ishte më i interesuar për meditimin transcendental. Si e tillë, kënga ka një temë të fortë shpirtërore, Laibach e kishte parasysh se njerëzit nga Koreja e Veriut ishin thellësisht shpirtërorë, ndërsa aspak fetarë.
“The final Countdown” nga Europe, Laibach bëri mirë që nuk bëri asnjë referencë për programin bërthamor të Koresë së Veriut këtu, se kënga në kontekst specifik mundë të asocioj numërimin mbrapsht të një aksioni bërthamor,
“Arirang”, këngë tradicionale koreane. Vendimi për të luajtur një këngë tradicionale popullore koreane, ka rënë shumë mirë me publikun në Phenian. Këngët e zhanrit Arirang – gjithashtu shumë të pëlqyera në Korenë e Jugut – janë vendosur në listën e “trashëgimisë kulturore jomateriale” të UNESCO-s.
UNESCO thotë se këngët “flasin për largimin dhe ribashkimin, pikëllimin, gëzimin dhe lumturinë” dhe “funksionojnë si një simbol i rëndësishëm i unitetit”. Dukej se shumica e njerëzve atje me të vërtetë nuk e kishin idenë se çfarë të prisnin, por e gjithë shfaqja dhe ngjarja gjatë qëndrimit të Laibach atje dukej se u prit mirë. Në lidhje me përvojën e grupit dhe ndikimin e koncertit në Korenë e Veriut, anëtari i grupit Ivan Novak, duke perifrazuar Neil Armstrong, tha se ishte “Një hap i vogël për Laibach, por një hap gjigant për njerëzimin”.
Mbresëlënës është video “The Sound Of Music” e dalë nga qëndrimi i tyre atje, video pasqyron kureshtjen, sinqeritetin dhe përkushtimin e koreanoveriorëve të zakonshëm në momentet kur ata përballen me një segment të kulturës perëndimore. Video fillon me një animacion me një dhi të egër në majë të një rrokaqiell, duke iu referuar legjendës Zlatorog në folklorin slloven.
Ngjarja fitoi mbulim mediatik nga e gjithë bota – nga John Oliver i cili e shndërroi në satirë e deri te revista Rolling Stone. Shumë media e etiketuan grupin si fashist, por përgjigja e tyre ishte se ata ishin aq fashistë sa Hitleri ishte një piktor.
Një koncert i planifikuar nga Laibach në Ukrainë marsin e vitit 2023 ishte anuluar nga autoritete ukrainase. Grupi pat deklaruar se koncerti kishte për qëllim të tregonte mbështetje për popullin ukrainas gjatë luftës, por organizatorët thanë se vërejtjet e tij shkaktuan “polemika” dhe mosmarrëveshje, duke detyruar anulimin. Ukrainasit u zemëruan me sa duket nga deklarata e Laibach për gazetën The Guardian që e quajti luftën “një luftë cinike proxy për interesat gjeostrategjike” të fuqive botërore. Megjithëse Laibach tregoi mbështetje për Ukrainën dhe ukrainasit dhe dënoi regjimin dhe agresionin rus, koncerti nuk u lejua.
Në vitin 1978, Dejan Knez, djali i piktorit dhe artistit të mirënjohur slloven Janez Knez, formoi grupin e tij të parë Salte Morale, i cili evoluoi në mishërimin e parë të Laibach në verën e vitit 1980. Ky mishërim përfshinte Dejan Knez, Srečko Bajda, Andrej Lupinc, Tomaž Hostnik dhe Marko Košnik. Menjëherë pas kësaj, i afërmi i Knez, Ivan “Jani” Novak dhe Milan Fras iu bashkuan grupit.
Anëtarët përdornin shpesh pseudonimet Dachauer, Keller, Saliger dhe Eber. Ekipi i koncertimeve përbëhet nga 7 anëtarë, dhe dhe 33 anëtarë tjerë që merren me dizajne, video, orkestrime dhe me një makineri të tërë instalimesh artistike. Grupi ka botuar më shumë se 35 albume.
Laibach përmendet shpesh si themelues të zhanreve Industrial Rock, Martial dhe Neo Classical Rock. Ata konsiderohen si ndikimi kryesor për grupin gjerman Rammstein. Kur u pyet në një intervistë, kitaristi i Rammstein, Richard Kruspe, pretendoi se Rammstein kishte një qasje më emocionale në vend të stilit më “intelektual” të Laibach. Kur anëtarët e Laibach u pyetën nga një intervistues në lidhje me “vjedhjen” e Rammstein prej tyre, ata u përgjigjën: “Laibach nuk beson në origjinalitet… Prandaj, Rammstein nuk mund të ‘vjedhte’ shumë nga ne.
Ata thjesht e lanë veten të frymëzoheshin nga puna jonë, e cila është absolutisht një proces legjitim, në një farë mënyre, ata kanë vërtetuar edhe një herë se një ‘kopje’ e mirë mund të bëjë më shumë para në treg sesa ‘origjinali’ në territor: ” Rammstein duket të jetë një lloj Laibach për adoleshentët dhe Laibach janë Rammstein për të rriturit.”
Laibach nga një Slloveni e vogël ka bë “sherr të madh”, ndikim të paimagjinueshëm në trendet e vonshme të muzikës. Dikë e kanë inspiruar, dikë e kanë nervozuar, por pa dyshim kanë krijuar vepra pa të cilat sot shumë trende do të mbeteshin të mangëta./Katror.info
Përgatiti:
