Vjet me veprën “Lament of the Earth” kompozitorja Donika Rudi do t’i gërshetonte tingujt për të reflektuar në ruajtjen e natyrës si aktualitet global. Mesazhi i veprës ishte i qartë. Atë e përforcon edhe më ajo me titull “Lament of the Air” (Vajtimi i ajrit) për fizarmonikë, që vjen si vepra e dytë në kuadër të ciklit “Lament…”. Qyteti Pelt i Belgjikës, ku do të jepet premierë më datë 19 të këtij muaji, është pikënisja e përçimit të mesazhit
Për veprën “Lament of the Air” veçse është një lloj ideje kur vepra e kompozitores Rudi kishte pushtuar Parkun e Qytetit në Prishtinë në vitin 2022 në një natë të freskët qershori. Intensive bëhej prania e natyrës me efektet e instalacionin zanor, bashkë me performancën. Vajtimi për tokën dhe thirrjet për veprim zbërtheheshin nëpërmjet tingujve të transformuar e të deformuar.
Kësaj here fizarmonika e italianes Margherita Berlanda do të formësojë “imazhin” e veprës, sikurse edhe muzika elektro-akusmatike e elektronike. Gjuha e shenjave luan rol të rëndësishëm. Ato do të interpretohen nga Bruxhida Malshi.
Premierën do ta ketë në ngjarjen që e organizon “IN SITU” për 20-vjetorin e aktivitetit. Ngjarja me bazë në Francë përshkruhet si një lloj ekosistemi që bashkon artistët me audiencën, programerët dhe instrumentistët kryesorë. Aty kompozitorja nga Kosova ishte artiste e asociuar krahas platformës evropiane për krijimin artistik në hapësirën publike në kuadër të projektit “(Un) Common Spaces”.
Nëpër tingujt e veprës së Rudit do të zbërthehet ndotja e ajrit, shkruan koha.
“Vepra e dytë e këtij cikli fokusohet tek ajri – ndotja e ajrit dhe është vepër për fizarmonikë. Së bashku me fizarmonisten Margherita Berlanda, një javë më parë ishim në rezidencë artistike në Milano, më saktësisht në ‘BASE Milano’ në Itali. Bashkë me Margherita punuam shumë në detajet e fundit para prezantimit të veprës”, ka thënë autorja e veprës Donika Rudi, e shquar për veprat e saj elektroakusmatike./Katror.info