Ministria e Ekonomisë ka lansuar “Thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.
Kryeministri Albin Kurti tha se me anë të kësaj skeme e skemave tjera do të përfitojnë rreth 20 mijë familje.
“Në vendin tonë intensiteti energjetik është rreth tri herë më i lartë në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky numër duhet të ulet dukshëm. Andaj fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese. Këtë qëllim ne e kemi ndarë me partnerët tanë të cilët kanë dhënë 75 milionë euro në përballje me krizën energjetike. Andaj sot ne po lansojmë masën e tretë me radhë. Këto masa vijnë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si qeveri për të rritur investimet në efiçiencë të energjisë. Kjo skemë që po e prezantojmë sot nuk do të jetë e fundit. Me këtë skemë e skemat tjera që do të prezantojmë javët në vijim do të mbështesim rreth 20 mijë familje”, theksoi kryeministri.
Ai ka thënë se programi i efiçienës përveç që ndikon në aspektin ambiental, është edhe kursimtar për buxhetin familjar.
“Sektori i energjisë është kyç për energjinë tonë. E kemi dëshmuar duke fituar disa nga projektet më të mëdha e inovative në vend. Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9 mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente në ngrohje. Për herë të parë në vendin tonë u kemi dhënë përkrahje nënave vetushqyese”, shtoi kryeministri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli Rizvanolli ka thënë se nga kjo thirrje përfitojnë së paku 20 mijë qytetarë.
“Këtë vit Ministria e Ekonomisë do të zbatoj programin e efiçiencën i cili kap shumën prej 15 milionë euro, 10 milionë shkojnë për familje për pajisje ngrohëse efiçiente, për pajisje shtëpiake, sisteme solare për ngrohjen e sistemit sanitar”, ka thënë ajo.
Sipas saj kursimet e energjisë elektrike do të shkojnë deri në 40% nga kalimi prej pajisjeve joefiçiente në ato me efiçiencë.
“Sivjet për herë të parë në Kosovë do të investohen rreth 30 milionë euro investime në sektorin rezidencial, shuma më e madhe historike në këtë sektor”, ka thënë Rizvanolli.
Ndërkaq përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në rrugën energjetike.
“Sektori i amvisërisë në Kosovë është më i madhi për sa i përket konsumimit të energjisë. Gjithashtu ekonomitë familjare janë sektori më i madh konsumues. Këto masa kanë shënuar ulje të konsumit dhe ato do të ulin harxhimin e energjisë siç janë me pajisjet e vjetra si rrobalarëse, enëlarëset, frigoriferët”, ka deklaruar Bianciardi.
Tutje ai ka inkurajuar qytetarët që të aplikojnë në thirrjen e Qeverisë./Katror.info