Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë larguar arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit, pas shqetësimeve nga banorët e zonës.
“Ditëve të fundit në fshatin Bellobrad dhe rrethin janë paraqitur disa arinj, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës, sidomos tek prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit. Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse si Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri”, Drejtorinë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi.
“Nga Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara”, thuhet në njoftim.
Policia ka falënderuar të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin e treguar në këtë rast./RTK/Katror.info











